Sport

E ardhmja e San Siro-s vendoset në Parlamentin Evropian


Tema e ndërtimit të San Siro-s së ri përfundon në Bruksel. Siç raportohet nga “Milano Tomorrow”, e ardhmja e stadiumit ka arritur në Parlamentin Evropian, falë një peticioni të ngritur nga Komiteti i Koordinimit të San Siro-s dhe tashmë kjo çështje është pranuar nga Komisioni Evropian.

Dokumenti mbështet rikonstruksionin e sistemit aktual të stadiumit, duke parandaluar kështu atë që përcaktohet si “asgjesimi i një parku urban të mbjellë me mbi pesë hektarë”.

“Institucionet evropiane kanë treguan ndjeshmëri të madhe ndaj çështjes së San Siro-s, që kur unanimisht anëtarët e Komisionit pranuan peticionin tonë”, tha Gabriella Bruschi, presidente e Komitetit.

Në tekstin e peticionit thuhet se “shkatërrimi i një mjedisi natyror në favor të betonit është një veprim në kundërshtim me çdo konsideratë mjedisore. Aq më teper pas pandemisë”.

“Aq me tepër nëse ekziston një alternativë e zbatueshme si nga pikëpamja e qëndrueshmërisë financiare dhe inxhinierike. Tani shpresojmë në ndjeshmërinë e eurodeputetëve”, vijonte shkrimi në tekstin e peticionit.

Ndërkohë pritet një takim midis palëve të përfshira në këtë çështje më 15 korrik, në orën 15:15.

San Siro ose i njohur ndryshe edhe si Giuseppe Meazza është stadiumi ku luajnë ndeshjet në shtëpi skuadra e Milan-it (që nga vitit 1941) dhe Inter-it (që nga viti 1947).

Stadiumi ka filluar ndërtimin në dhjetorin e vitit 1925 dhe është hapur më 19 shtator të 1926. Përgjatë periudhave të ndryshme kohore ai i është nënshtruar rikosnstuksionit dhe shtimit të vendeve për tifozët (1935, 1955, 1987 – 1990, 2015 – 2016).

Kapaciteti maksimal i tij është rreth 80 mijë tifozë, ndërsa mund të marrë lehtësisht deri në 75 mijë.

Në qershorin e vitit 2019, dy skuadrat Milan-i dhe Inter-i shpalosën iden për të ndërtuar një stadium të ri, mbi San Siro-n. Stadiumi i ri është projektuar të ketë deri në 60 mijë vende për tifozët dhe do të ketë kushte moderne.

Por, miratimi nga Bashkia e Milano-s që zotron stadiumin nuk është dhënë ende dhe madje është një temë e nxehtë, që siç u tha edhe më siper, ka shkuar deri në Parlamentin Evropian dhe duhet të pritet 15 korriku, për të parë se si do të rrjedhin ngjarjet.

Një nga konceptet e stadiumit të ri të San Siro-s.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore