Lajme

Dy vite “luftë” me COVID-in në Kosovë, IKSHPK: Të zbatojmë masat parandaluese deri në përfundimin të pandemisë


Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka njoftuar se dy vjet më parë u raportuan rastet e para me COVID-19.

Tani sipas IKSHPK-së, po punohet pandërprerë deri në përfundimin final të pandemisë.

Ky institucion shëndetësor ka kërkuar nga qytetarët që të vazhdojnë të mbrohen nga Coronavirusi.

“Të gjithë pa dallim dhe domosdoshmërisht duhet të vazhdojmë të zbatojmë masat parandaluese kundër COVID-19 dhe rekomandimet e profesionistëve shëndetësor”, thuhet në njoftimin e IKSHPK-së.

“Prandaj, në vazhdimësi vlen për secilin person dhe më tej vazhdojmë të bëjmë thirrje. Mbulo gojën dhe hundën me maskë. Mbaj higjienën, respekto distancën dhe vaksinohu”.

Ndërsa pesë spitale të përgjithshme në kuadër të Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës nuk ka të shtrirë asnjë pacientë për trajtim spitalor nga COVID-19.

Sipas njoftimit të ShSKUK-së, spitali i Prizrenit, Mitrovicës, Gjakovës, Ferizajt dhe Vushtrrisë në raportet e datës 13 mars 2022 kanë treguar se nuk kanë pacientë me COVID.

Ndërkaq, në Spitalin e Gjilanit dhe atë Pejës janë vetëm 3 pacientë.

Në Klinikën Infektive në trajtim janë 11 pacientë, prej tyre, 4 të konfirmuar me Coronavirus.

Me oksigjeno-terapi në tërë ShSKUK-në, po trajtohen 11 pacientë, kurse në Mjekim Intensiv janë të shtrirë 3 pacientë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore