Lajme

Drejtoresha e Transparency International: Përmirësimi në fushën e demokracisë, arsyeja që u ngrit Kosova në indeks


Drejtoresha e departamentit të Evropës Lindore dhe Juglindore në Transparency International, Lidija Prokic.

Drejtoresha e departamentit të Evropës Lindore dhe Juglindore në Transparency International, Lidija Prokiç, ka përmendur arsyet se pse Kosova ka shënuar ngritje në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit për 17 pozita, krahasuar me raportin e fundit.

Ndërsa, ka thënë se Kosova ka bërë përparim pas shumë vitesh qëndrimi në vend ose përkeqësimi.

“Tani ajo është ngjitur me tre pikë në indeks, pra, ka 38 pikë. Mendojmë se ka luajtur rol pozitiv përmirësimi në fushën e demokracisë, pra, fakti që Kosova ka pasur një dorëzim paqësor të pushtetit në dy zgjedhje të zhvilluara brenda një kohe shumë të shkurtër”, ka thënë Prokiç, në një intervistë për Deutsche Welle.

Sipas saj, rol pozitiv ka pasur edhe fakti që parlamenti ka qenë funksional gjatë pandemisë.

“Një tjetër element shumë pozitiv në rastin e Kosovës ishte fakti që Kosova ishte një nga vendet e rralla në Evropë, ku parlamenti mbeti tërësisht funksional gjatë pandemisë. Është e rëndësishme që institucionet ta ruajnë pavarësinë edhe në kohë krize. Kosova e rriti në këtë mënyrë besimin e popullit në vendimet e marra në krizën e pandemisë”.

Republika e Kosovës ka shënuar përparim të lehtë në luftën kundër korrupsionit, duke u renditur e 39-ta në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2021, të përpiluar nga organizata ndërkombëtare, Transparency International.

Kurse në vitin 2020, Kosova kishte 36 pikë.

Indeksi radhit çdo vit 180 shtete dhe territore të botës në bazë të nivelit të perceptuar të korrupsionit në sektorin publik. Ai përdor një metodologji pikësh, sipas së cilës zero tregon për një vend shumë të korruptuar, ndërsa 100 për një vend të pastër nga kjo dukuri.

Nga vendet e rajonit, përparim ka shënuar edhe Maqedonia e Veriut, e cila ka 39 pikë, katër më shumë sesa vitin e kaluar.

Shqipëria ka 35 pikë – një më pak sesa një vit më parë.

Bosnje-Hercevogina ka po ashtu 35 pikë, por nuk ka ndërruar pozitë.

Serbia nuk ka ndërruar pozitë po ashtu me vitin e kaluar. Ka sërish 38 pikë.

Mali i Zi qëndron më së miri në rajon sa i përket luftës kundër korrupsionit me 46 pikë, një më shumë sesa vitin e kaluar.

Megjithatë, Indeksi për vitin 2021 flet për një bllokadë në luftën kundër korrupsionit në gjithë botën, pasi 86 për qind e shteteve kanë bërë pak apo aspak përparim në 10 vjetët e fundit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore