Përballje

Dortmund fiton Kupën e Gjermanisë për herë të pestë në histori


Borussia Dortmund e ka fituar Kupën e Gjermanisë, duke e deklasuar në finale skuadrën e Leipzig me rezultat 1:4.

Borussia Dormund e nisi ndeshjen si më së miri duke shënuar golin e epërsisë në minutën e pestë përmes anglezit Jadon Sancho.

Dortmund ishte i papërmbajtshëm në pjesën e parë, duke shënuar edhe dy herë të tjera, me Haaland në minutën e 28-të dhe me Sancho përsëri në të 45-ën, kështu duke shkuar në pushim me një fitore thuajse të siguruar.

Trajneri i Leipzig, Julian Nagelsmann, në fillimin e pjesës së dytë inkuadroi në lojë të gjithë lojtarët ofensivë, të cilët arritën të shënojnë në minutën e 71-të përmes Dani Olmo.

Mirëpo ky gol doli të jetë vetëm i nderit, pasi që Haaland shënoi edhe golin e tij të dytë personal në këtë finale, tre minuta para përfundimit të kohës së rregullt.

Dhe në fund verdhezinjtë ia dolën të ngrehin lartë trofeun e “DFB Pokal” për herë të pestë në historinë e tyre.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore