Lajme

Dëshmitari Ndreci rrëfen krijimin e njësisë “Barileva” në Gjykatën Speciale


Bilsim Ndreci, dëshmitar i mbrojtjes së Salih Mustafës.

Dëshmitari i gjashtë i mbrojtjes së Salih Mustafës, Bislim Ndreci, të martën e ka përfunduar dëshminë e tij para Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.

Ai i ka thënë trupit gjykues se Salih Mustafën e njeh që nga viti 1998, duke bërë të ditur se i ka lidhur organizimi për luftën çlirimtare.

Ndreci, ka theksuar se bisedë të drejtpërdrejtë me Mustafën ka pasur në mesin e vitit 1999 në fshatin Barilevë.

Ndreci, nuk ka jepur një datë të saktë të këtij takimi, veçse ka përsëritur që Mustafa ka qenë në Barilevë në mes të 12 dhe 22 prillit të atij viti.

I pyetur për njësinë “Barileva”, që ka qenë pjesë e Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës ka thënë se kjo njësi ishte në kuadër të Brigadës 153.

“Në mes 12 dhe 22 (prill 1999) po, por në mes të 12 dhe 22 janë disa ditë të cilat nuk guxoj, janë nën betim, me thënë shembull të marrim diku po është kjo, me ekzakt nuk e di. Nuk mundem sepse është edhe 12 që na kujton shumë gjëra, është edhe 22 që na kujton, andaj mund të themi katër ose pesë, aty diku, mbi 12 prillin, por edhe aty diku para 22 prillit”, deklaroi Ndreci.

Dhomat e Specializuara të Hagës.

Ndër të tjera, u shpreh se komandant e kanë pasur Jusuf Shalakun.

“Si emër Salih Mustafa e njoh nga larg, shumë moti, por fizikisht e kam njohur nga 98 e këndej, por me e pa, me fol me të është kur ka ardhur në Barilevë”, ka thënë ai.

Ndreci shtoi se derisa po lëviznin nga një fshat në një fshat tjetër, 8 persona të paarmatosur ishin vrarë në Barilevë.

“Tre kanë qenë ushtarë, njëri ka qenë profesor Selim Berisha që është vra më 20 mars dhe dy të tjerë. Për të fundit, më kujtohet që është vra më 18 maj, ka qenë komandant togu dhe për të dytin mes 20 marsit dhe 18 majit, por saktë më vjen keq nuk e mbaj mend”, ka sqaruar ai.

Pos këtyre personave,  dëshmitari Ndreci e mbështeti deklaratën e dhënë më herët ku kishin vdekur edhe dy persona të tjerë, Bedri Kurti dhe një person më mbiemrin Kaçiu.

“Po, këta kanë vdekur më 12 prill, sepse aty ku ne rrinim në lagjen Barileva në Vërbovc, diku rreth orës 12:30 na kanë lajmëruar se po afrohen forcat serbe rreth lagjes. Ne jemi mobilizuar shumë shpejtë, e kemi largu popullatën e asaj lagje, nuk ka pas shumë në numër, diku 200-300, janë largu të gjithë derisa kanë mbërri ata. Aty jemi ballafaquar me forcat serbe, ne ushtarët e UÇK-së”, tha Ndreci.

Për periudhën kur është formuar njësiti gueril i UÇK-së “BIA” ai ka thënë se, “BIA u emërua në shenjë respekti të heronjve të kombit Bahri Fazliu, Ilir Konushevci dhe Agron Rrahmani), pjesë e së cilës ishte bërë”.

Ai shtoi se nuk ka pasur kontakt me Salih Mustafën pas arrestimit të tij dhe ka treguar si ka vendosur kontakt me mbrojtjen e të akuzuarit.

Bilsim Ndreci, dëshmitar i mbrojtjes së Salih Mustafës.

“Po kam qenë me vëllain e tij (Mustafës), Arbenin. Datën nuk e mbaj mend por në një pikë karburanti u takuam aty dhe e pyeta çka ka nga ju dhe më tha avokati është në Prishtinë dhe disa të dhëna për dikë që e njeh, dikë që e di ku ka qenë, që është taku dikush me të është duke i mbledh”.

“I thash një prej tyre, nëse mundem me kontribu, jam edhe unë. Të nesërmen më kanë thirrë, jam taku, të nesërmen ose pasnesër. Kam shku, jam taku me të dhe me avokatin i cili është këtu”.

Gjyqi ndaj Salih Mustafës do të vazhdojë të mërkurën e 5 prillit me dëshmitarin e shtatë të mbrojtjes.

Aktakuza ndaj Mustafës është konfirmuar më 12 qershor 2020.

“Aktakuza e konfirmuar përcakton se afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave. Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se në një datë midis 19 prillit 1999, ose rreth kësaj date, dhe rreth fundit të prillit 1999, në atë vendndodhje u vra një i ndaluar”, ka njoftuar Gjykata Speciale përmes një komunikate.

Bëhet e ditur se në aktakuzën e konfirmuar, Salih Mustafa akuzohet në kuadër të formave të ndryshme të përgjegjësisë penale, për: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme si krime lufte të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur jo ndërkombëtar në Kosovë, ose në lidhje me atë konflikt.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore