Përballje

Challandes liron nga grumbullimi katër futbollistë të Prishtinës


Përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës, Bernard Challandes ka ndryshuar listën e futbollistëve për dy ndeshjet miqësore ndaj Guinesë dhe Gambisë.

Me kërkesë të klubit të Prishtinës, Challandes ka vendosur të lirojë nga grumbullimi i paraparë me kombëtaren, katër futbollistët e skuadrës kampione të Kosovës, e cila ka nisur përgatitjet për pjesëmarrje në ndeshjet parakualifikuese të Ligës së Kampionëve.

Challandes kishte vendosur që për këto ndeshje të grumbullojë e futbollistë të Superligës së Kosovës, ku në mesin e tyre ishin edhe futbollistët nga Prishtina: Gledi Mici, Endrit Krasniqi, Leonit Abazi dhe Leotrim Dullova.

Me t’u publikuar lista, klubi nga kryeqyteti kishte mbajtur një mbledhje, ku më pas vendosën për të bërë një kërkesë në FFK për të liruar këta futbollistë, për shkak të përgatitjeve në ndeshjet evropiane, si dhe një përfaqësim sa më të denjë në arenën ndërkombëtare.

Prishtina do të jetë pjesë e garave parakualifikuese të Ligës së Kampionëve, bashkë me skuadrat HB Torshavn, Folgore dhe Inter Club d’Escaldes.

Kampionia e Kosovës, do të përballet më njërën nga këto skuadra në gjysmëfinale, pastaj në finale do të ndeshet me fituesin tjetër, ku në fund nëse arrin fitoren, do të kalojë në raundin e parë kualifikues për një vend në Ligën e Kampionëve në sezonin e ardhshëm.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore