Lajme

Çeku për Albanian Post: Vendimi i Gjykatës së Apelit befasi e madhe për ne, zhvillim i madh dhe diçka e pabazë


Ish kryeministri Agim Çeku.

Pas vendimit të Gjykatës së Apelit që e ka kthyer në rigjykim rastin e njohur si “Veteranët”, i kontaktuar nga Albanian Post, ish kryeministri Agim Çeku ka thënë se “është një befasi e madhe për neve, një zhvillim i madh, diçka e papritur dhe jam i sigurt që është plotësisht diçka e pabazë”.

Çeku, tutje ka thënë se nuk ka qenë as i informuar paraprakisht që rasti do të kthehet në rigjykim.

“Jo nuk kam qenë i informuar absolutisht dhe nuk e kemi pritur një gjë të tillë që gjykata ta konfirmoj vendimin e gjykatës themelore”.

Ndërsa shtoi se, “patjetër do të paraqitem në gjykatë”.

Të martën e 26 prillit, Gjykata e Apelit e ka kthyer në rigjykim rastin e njohur si “Veteranët”, ku për keqpërdorim të detyrës zyrtare akuzohen ish-kryeministri Agim Çeku, ish-ministri i Mbrojtjes, Rrustem Berisha, ish-deputeti Shkumbin Demalijaj, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.

Gjykata e Apelit.

Lajmi është bërë i ditur përmes një komunikate për medie nga Gjykata e Apelit.

Sipas Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), të akuzuarit duke keqpërdorur detyrën e tyre zyrtare, për kohën sa ishin pjesë e Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit dhe të Internuarit të Luftës së UÇK-së, i kanë shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës në vlerë prej 88.769.217.04 euro.

Për këto akuza, Gjykata Themelore në Prishtinë kishte marrë aktgjykim lirues më 19 janar 2021.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 19 qershor 2019, e kishte konfirmuar aktakuzën për këtë rast, ndërsa këtë vendim e kishte konfirmuar edhe Gjykata e Apelit në gusht të vitit 2019.

Me aktakuzën e PSRK-së, po ashtu ishte kërkuar që Gjykata Themelore në Prishtinë, të urdhërojë Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), që të pezullonte pagesën e pensioneve për 19 mijë e 500 veteranë, deri në përfundimin e procesit gjyqësor.

Por, më 1 prill 2019, gjykata e kishte refuzuar këtë kërkesë me arsyetimin se propozimi për masën e përkohshme nuk është ndaj të akuzuarve, por ndaj MPMS-së, si palë e tretë.

Ndër të tjera, pas seancave të mbajtura, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 19 janar 2021, ka shpallur aktgjykim lirues ndaj të akuzuarve në këtë rast.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore