Shqipëria

Burg i ri në Shqipëri, ministrat britanikë e mirëpresin


Një prototip burgu, në kuadër ministri britanik i Drejtësisë, Chris Philp

Prestigjiozja britanike “Daily Mail” ka zbuluar detaje nga mbledhja e kabinetit britanik ministror, teksa propozimi për ndërtimin e një burgu të ri në Shqipëri është mirëpritur prej tyre.

Ky burg i ri pritet të strehojë pikërisht shkelësit shqiptarë në burgjet britanike, sipas “The Mail”.

“Propozimi u ‘mirëprit’ në një takim dypalësh mes ministrave të Mbretërisë së Bashkuar dhe sekretarit shqiptar të drejtësisë javën e kaluar”, shkruan e përditshmja britanike.

Njoftimi erdhi pak kohë pasi qeveria britanike nënshkroi një marrëveshje të re për transferimin e të burgosurve me Shqipërinë. Kjo, pasi numri i kriminelëve shqiptarë në burgjet e Mbretërisë së Bashkuar (MB) ishte 1 mijë e 528 në qershor – një rritje e madhe nga 876 në gusht të 2019.

Sipas njoftimit, Shqipëria do të paguante faturën për strehimin e të burgosurve të transferuar nga Britania.

Por të hënën, bisedimet midis ministres shqiptare të Drejtësisë, Etilda Gjonaj dhe homologut të saj britanik, Chris Philp u kthyen në një kërkesë për ndërtimin ose rinovimin e një burgu në Shqipëri.

“Kuptohet që zyrtarët shqiptarë janë shqetësuar për natyrën e njëanshme të marrëveshjes së transferimit të të burgosurve dhe tani po kërkojnë ndihmë financiare”, shkruan ndër të tjera “The Mail”.

Sipas së përditshmes britanike, ministrja Gjonaj u kritikua kur u kthye në Shqipëri dhe i tha një intervistuesi se ministrat britanikë mirëpritën propozimin e saj për të ndërtuar një burg në Shqipëri ose për të rinovuar një burg ekzistues.

Shtetasit shqiptarë përbëjnë numrin më të madh të shkelësve të huaj në burgjet e Britanisë së Madhe. Bandat kriminale shqiptare janë të njohura si udhëheqëse në trafikimin dhe prodhimin e drogës, si dhe në kontrabandimin e njerëzve në Britani.

Qeveria nënshkroi një marrëveshje me Shqipërinë për të larguar kriminelët e burgosur në vitin 2013, por gjashtë vite më vonë, vetëm 24 prej tyre ishin ekstraduar. Marrëveshja e re ka një numër ndryshimesh që përpiqen ta lehtësojnë procesin e transferimit.

Bazuar në tarifat aktuale prej 44 mijë e 600 paundë në vit për burg, shërbimi i burgut do të shpenzonte rreth 70 milionë paundë në vit për t’i mbajtur shqiptarët pas hekurave.

Më vete, qeveria britanike, sipas “Daily Mail”, ka qenë në gjendje të largojë 254 kriminelë shqiptarë nga Britania e Madhe që nga prilli dhe 85 të tjerë pa të drejtë të jenë në vend.

Muajin e kaluar, ministria e Drejtësisë zbuloi sesi vrasësi shqiptar Selami Cokaj u dëbua pas një beteje ligjore 12-vjeçare në të cilën ai hyri ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar.

Një zëdhënës i Ministrisë së Drejtësisë tha se nuk do të komentonte bisedimet dypalëshe me ministrat e jashtëm.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore