Shqipëria

Zbardhen detajet e marrëveshjes Shqipëri-MB për transferimin e të dënuarve


Pas nënshkrimit zyrtarisht të marrëveshjes për transferimin e të dënuarve në Shqipëri nga Britania e Madhe dhe Irlanda e Veriut, sot janë zbardhur detaje të mëtutjeshme.

E pranishme në vizitën zyrtare në Mbretërinë e Bashkuar (MB), të hënën e 26 korrikut, ishte dhe ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, e cila ka nënshkruar marrëveshjen për transferimin e të dënuarve.

Marrëveshja ka për qëllim zhvillimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në fushën e të drejtës penale ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, si dhe çuarjen më tej të qëllimeve të drejtësisë dhe rehabilitimin shoqëror të personave të dënuar.

Aktualisht, marrëdhëniet e bashkëpunimit gjyqësor të Republikës së Shqipërisë me Britanisë e Madhe dhe Irlandën e Veriut, sa i takon transferimit të personave të dënuar rregullohen me marrëveshjen për transferimin e personave të dënuar, e cila është ratifikuar nga Kuvendi në vitin 2013.

Palët kanë lehtësuar zbatimin e marrëveshjes, duke përmirësuar dispozitat që lidhen me dokumentacionin e nevojshëm për transferimin e të dënuarve.

Përpos kësaj, janë përmirësuar parashikimet që lidhen me vazhdimin e ekzekutimit të dënimit nga shteti marrës, duke parashikuar se shteti marrës përshtat dënimin sipas përcaktimeve që gjenden në këtë projekt-marrëveshje.

Rehabilitimi i të dënuarve

Ministrja Gjonaj, gjatë vizitës së saj, u takua me ministrin Philp. Gjatë diskutimeve mes palëve u vu në dukje që për Republikën e Shqipërisë është me rëndësi rehabilitimi dhe riintegrimi i të gjithë shtetasve shqiptarë, pavarësisht vendit të kryerjes së veprës penale.

Për këtë qëllim, kjo marrëveshje është një instrument i mirë që u garanton shtetasve shqiptarë mundësinë për të kërkuar transferimin e dënimit në Republikën e Shqipërisë, që do të lejonte pasjen e kontakteve më të shpeshta me familjarët e tyre, dhe rrjedhimisht ndihmon në ri-integrimin më të shpejtë të tyre në vendin e origjinës.

Nga ana tjetër, ministrja Gjonaj vuri në dukje që Shqipëria ka ndërmarrë një reformë të thellë gjyqësore, që tashmë po shoqërohet edhe me një reformë të thellë në sistemin penitenciar.

Në kuadër të reformës në sistemin penitenciar, përveç përmirësimit të legjislacionit të kësaj fushe, Ministria e Drejtësisë ka si qëllim edhe përmirësimin e kushteve të trajtimit të të dënuarve.

Për këtë qëllim, ministrja e Drejtësisë, Gjonaj, u takua dhe me ministrin Chalk, me të cilin zhvilloj një bisedë të frytshme mbi sistemin penitenciar.

Ndërtimi i një burgu të ri

Ministrja Gjonaj dhe ministri Chalk diskutuan mbi mundësinë e mbështetjes nga pala britanike nëpërmjet rikonstruksionit apo ndërtimit të një burgu të ri mbi projekte konkrete, i cili do të mund të përmirësojë kushtet që vuajnë dënimin të burgosurit shqiptar dhe në uljen e popullimit në burgjet shqiptare.

Ministri Chalk shprehu vullnetin e fortë politik për mbështetjen e kërkesave të palës shqiptare dhe ndërmorri angazhimin për vijimin e diskutimeve të mëtejshme ndërmjet stafeve teknike për modalitetet e këtij bashkëpunimi.

Gjithashtu, pala britanike shprehu mbështetjen e fortë për vijimin e bashkëpunimit në fushën e reformës penitenciare nëpërmjet rritjes së kapaciteteve të shërbimit të kontrollit të brendshëm në burgje, si dhe shkëmbimin e të dhënave me autoritetet britanike, për shtetasit shqiptarë që janë dënuar me një vendim të formës së prerë në Mbretërinë e Bashkuar.

Në vijim, ministrja Gjonaj u takua dhe me ministrin Lord Wolfson, me të cilin u dakordësuan të thellojnë bashkëpunimin ndërgjyqësor dhe të shkëmbejnë dhe bashkëpunojnë në fushën e dixhitalizimit të gjyqësorit. Ministrja Gjonaj falenderoi të tre ministrat për mbështetjen e deritanishme në reformën e sistemit penitenciar.

Media britanike

Gjatë një udhëtimi dyditor në Shqipëri, sekretarja e Brendshme, Patel gjithashtu takoi kryeministrin Edi Rama dhe diskutoi mbi përpjekjet e përbashkëta për të trajtuar krimin e rëndë të organizuar, përfshirë trafikimin e drogës dhe krimin e imigracionit.

Për Patel, kriminelët, si dhe ata që nuk arrijnë të marrin azil nga Shqipëria do të përballen me një kthim më të shpejtë në vendin e tyre.

Kjo, nën një marrëveshje të re pas Brexit të siguruar nga Priti Patel mbrëmjen e 8 korrikut.

Marrëveshja do ta bëjë më të lehtë deportimin e shkelësve të dënuar.

Kjo do ta bëjë gjithashtu më të thjeshtë lëvizjen e azilkërkuesve ‘të dështuar’ shqiptarë dhe atyre që i kanë vizat e mbartura.

Marrëveshja u finalizua, sipas Daily Mail, nga Patel gjatë një vizite zyrtare në Tiranë.

“Kjo do të bëjë që procesi i transferimit të kriminelëve shqiptarë dhe atyre që janë në konflikt me statusin e tyre të imigracionit të jetë më i lehtë dhe më i shpejtë”, thanë burime të Home Office për Daily Mail.

Marrëveshja e re vjen në mes të shqetësimit në rritje për numrin e shtetasve të huaj në burg në Angli dhe Uells. Një në tetë të burgosur është shtetas jo-britanikë, ose 9 mijë 850 persona nga 78 mijë që gjenden prapa hekurave.

Zyrtarët thanë se kjo do të ‘forconte rregullimet ekzistuese që Mbretëria e Bashkuar (MB) ka, për të larguar shtetasit shqiptarë që nuk kanë të drejtë të jenë në MB’.

Patel u shpreh ndër të tjera se mbetet e vendosur që të rregullojë sistemin britanik të imigracionit, të ndalojë hyrjen e paligjshme dhe të heqë ato që nuk kanë të drejtë të jenë në MB “sa më shpejt të jetë e mundur”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore