Lajme

Bordi i AAK-së: Kuvendi është duke ndërhyrë në kompetencat e Komunave


Kuvendi i Kosovës.

Bordi i Asociacionit të Komunave të Kosovës ka reaguar ndaj tendencës së Kuvendit që të ndërhyjë në kompetencat e Kosovës.

Ky reagim i tyre vjen pasi kryesia e kuvendit ka vendosur që në seancën e ardhshme plenare të debatoj lidhur me “Shqyrtimi i rekomandimeve të dala nga shqyrtimi i Raportit të Auditimit për pasqyrat financiare vjetore të KRM Pastrimi Sh.A, për vitin 2021”.

“Bordi i Asociacionit të Komunave të Kosovës vlerëson se KRM “Pastrimi” Sh.A. është Ndërmarrje Publike Lokale dhe shqyrtimi i Raporteve të auditimit të saj bëhet në organet dhe strukturat komunale e jo në Kuvendin e Kosovës”.

Foto nga arkivi.

“Sipas Ligjit për Ndërmarrjet Publike, Ndërmarrjet Publike Lokale i përgjigjen vetëm Komisionit Komunal të Aksionarëve, të cilët i përgjigjen pastaj institucioneve Komunale”, thuhet në reagimin e komunave.

Tutje është sqaruar se në bazë të Ligjit mbi Ndërmarrjet Publike, KRM “Pastrimi” është në pronësi të komunave sipas përqindjes së aksioneve si është përcaktuar me ligj, përkatësisht në Statutin e kompanisë.

“Bordi i AKK-së vlerëson se ky veprim është ndërhyrje direkte e institucioneve qendrore në kompetencat dhe detyrat e nivelit lokal. Në këtë mënyrë, Kuvendi i Kosovës me apo pa vetëdije, me theks të veçantë, po shkel mbi Ligjin për Vetëqeverisje Lokale dhe Ligjin për Ndërmarrjet Publike”.

Komunat reagime kanë pasur edhe ndalimin e të hyrave vetanake nga Qeveria duke e konsideruar si shkelje të Kushtetutës.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka reaguar ndaj Ministrisë së Financave e cila është duke bllokuar të hyrat vetanake të komunave nga vitet paraprake.

Përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, Rama ka thënë se kjo është hera e parë që pushteti ndërhyn në të hyrat vetanake të komunave.

“Jam thellësisht i shqetësuar pas informatave se Ministria e Financave po bllokon bartjen e të hyrave vetanake të komunave nga vitet paraprake”.

“Është hera e parë që një qeveri tenton në mënyrë kundërkushtetuese të tjetërsojë të hyrat vetanake të komunave”, ka shkruar Rama.

Ai tutje ka bërë të ditur se ka paraqitur kërkesë tek personat kompetent që ato t’i kthehen komunës në formën siç ka qenë më parë.

Një gjë e tillë përveç se është cenim i funskionimit të pushtetit lokal është në kundërshtim edhe me Ligjin e Financave të Pushtetit Lokal dhe Ligjin e Financave Publike.

“Komunat e Kosovës, pavarësinë financiare e kanë të rregulluar dhe kërkojmë që mos të ketë ndërhyrje nga niveli qendror”, thuhej në komunikatën e lëshuar nga Asociacioni i Komunave të Kosovës.

Ky alarmi i ngritur nga Asociacioni i Komunave kishte shqetësuar edhe kryetarët e komunave të cilët në këtë rast ishin “viktima”, pasi që Qeveria e Kosovës kishte marrë një vendim pa u dakorduar paraprakisht me vetë ata.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore