Lajme

Bislimi: Kosova aplikoi në Këshillin e Evropës, në koordinim me partnerët


Zëvendëskryeministri i Kosovës Besnik Bislimi.

Zëvendëskryeministri i Kosovës Besnik Bislimi, në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës të hënën është shprehur se Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës në koordinim me partnerët.

Bislimi, i cili udhëhoqi mbledhjen e Qeverisë në mungesë të kryeministrit Albin Kurti, theksoi se ishte koha e duhur për aplikim.

“Besojmë fuqishëm që të gjitha vendet anëtare të Këshillit të Evropës që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës i gëzohen avancimit të vendit tonë dhe do ta mbështesin këtë rrugëtim”.

Qeveria e Kosovës.

“Kosova ka bërë një hap të rëndësishëm përpara me dorëzimin e aplikimit për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Pas anëtarësimit, qytetarët e Kosovës do të kenë edhe një instancë evropiane për të adresuar çështjet e tyre”, dekaroi Bislimi.

Ndërsa, përmendi edhe vizitën e Kurtit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Kryeministri Kurti po zhvillon takime shumë të rëndësishme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me zyrtarë shtetërorë, udhëheqës të ndërmarrjeve, përfaqësues të organizatave”, shtoi ai.

Këshilli i Evropës konfirmon për Albanian Post se ka pranuar kërkesën e Kosovës për anëtarësim

Këshilli i Evropës ka konfirmuar se aplikimi i qeverisë së Kosovës, përmes kryediplomates Donika Gërvalla, është marrë të enjten e 12 majit.

“Mund të konfirmojmë se aplikimi për anëtarësim është marrë”, shkruan fillimisht Dushan Vojnoviç për Albanian Post.

Drejtori i Komunikimeve për Ballkanin Perëndimor në KiE theksoi se aplikimi po i transmetohet Komitetit të Ministrave.

Kjo, në përputhje me statutin e Këshillit të Evropës.

Njoftimin se Kosova zyrtarisht ka dorëzuar aplikimin në Këshillin e Evropës fillimisht e dha ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla.

Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla

Përmes një video-mesazhi, Gërvalla nënvizonte se Kosova e meriton të jetë anëtare e kësaj organizate ndërkombëtare.

“Sot fillon procedura e shqyrtimit të kërkesës sonë, e cila do të kalojë në instanca të ndryshme të Këshillit të Evropës dhe Asamblesë Parlamentare dhe për fund edhe të Këshillit Ministror”, shprehu ajo përmes një videoje të postuar në median sociale Facebook.

Sipas saj, Kosova është vendi më demokratik në rajon, më pro-evropian në rajon dhe më optimist në rajon.

Referuar kësaj, kryediplomatja shtoi se Kosova e meriton të jetë “anëtare e Këshillit të Evropës”.

Ajo shprehu bindjen sakaq se “kjo procedurë që ka nisur sot do të përfundojë me anëtarësim të plotë të Kosovës në Këshillin e Evropës”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore