Lajme

Këshilli i Evropës konfirmon për Albanian Post se ka pranuar kërkesën e Kosovës për anëtarësim


Këshilli i Evropës ka konfirmuar se aplikimi i qeverisë së Kosovës, përmes kryediplomates Donika Gërvalla, është marrë.

“Mund të konfirmojmë se aplikimi për anëtarësim është marrë”, shkruan fillimisht Dushan Vojnoviç për Albanian Post.

Drejtori i Komunikimeve për Ballkanin Perëndimor në KiE theksoi se aplikimi po i transmetohet Komitetit të Ministrave.

Kjo, në përputhje me statutin e Këshillit të Evropës.

Njoftimin se Kosova zyrtarisht ka dorëzuar aplikimin në Këshillin e Evropës fillimisht e dha ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla.

Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla

Përmes një video-mesazhi, Gërvalla nënvizonte se Kosova e meriton të jetë anëtare e kësaj organizate ndërkombëtare.

“Sot fillon procedura e shqyrtimit të kërkesës sonë, e cila do të kalojë në instanca të ndryshme të Këshillit të Evropës dhe Asamblesë Parlamentare dhe për fund edhe të Këshillit Ministror”, shprehu ajo përmes një videoje të postuar në median sociale Facebook.

Sipas saj, Kosova është vendi më demokratik në rajon, më pro-evropian në rajon dhe më optimist në rajon.

Referuar kësaj, kryediplomatja shtoi se Kosova e meriton të jetë “anëtare e Këshillit të Evropës”.

Ajo shprehu bindjen sakaq se “kjo procedurë që ka nisur sot do të përfundojë me anëtarësim të plotë të Kosovës në Këshillin e Evropës”.

Ndërtimi i situatës

Më herët, qeveria e Kosovës miratoi në parim Nismën për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në organizatën ndërkombëtare “Këshilli i Evropës – Council of Europe”.

Vendimi i miratuar urdhëronte Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe të Diasporës që të zhvillonte të gjitha procedurat për anëtarësim në bazë të legjislacionit në fuqi.

Gjatë ditës, lidhur me anëtarësimin në KiE, është prononcuar edhe lideri i vetëm institucional, i cili aktualisht gjendet në Kosovë, Glauk Konjufca.

“Kemi edhe një delegacion që është atje, i cili është i përhershëm i Kosovës në kuadër të parlamentit, i cili merr pjesë vazhdimisht në asamblenë e KiE”, u shpreh Konjufca, kur u pyet për votat.

Sipas kryeparlamentarit, është bërë punë e madhe prej të paktën një viti.

Në vijim, Konjufca theksoi se për të arritur anëtarësimin duhet të ketë “bashkëpunim edhe me partitë opozitare”.

“Edhe vetë kur kam qenë në opozitë kam qenë pjesë e delegacionit të Kosovës në Evropë. Kemi punuar të gjithë së bashku pavarësisht partive politike. Ky është sukses i Kosovës, jo i ndonjë partie në mënyrë të veçantë”, garantoi kryetari i Parlamentit të Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore