Lajme

Bërnabiç reagon pas deklaratës së ambasadorit Schieb: Bombardimet ishin sundim i forcës, jo i ligjit


Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiç ka reaguar pas deklaratave të fundit nga ambasadori gjerman në Beograd, Thomas Schieb në lidhje me bombardimin e Jugosllavisë nga Organizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO).

“Bombardimi i Jugosllavisë nga NATO nuk ishte sundimi i ligjit por sundimi i forcës”, ka thënë kryeministrja Bërnabiç.

Ajo në një intervistë në “TV Pink”, bombardimin e vitit 1999 e quajti “agresion dhe një krim monstruoz”, shkruan gazeta serbe “Novosti”.

Kur pyetet nëse presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, u qortua për “zgjedhjen e investimeve midis investimeve të Kosovës dhe atyre të Gjermanisë”, për shkak të deklaratës së Schieb, Bërnabiç deklaroi se “ presidenti i Serbisë qortohet çdo ditë për marrëzi të ndryshme”.

Ajo theksoi se Gjermania dhe kompanitë nga ai vend, me mbështetjen e qeverisë gjermane dhe ambasadorit Scheib, punësojnë 72 mijë njerëz në Serbi.

Ndërkaq, më tetë prill të këtij viti, ambasadori Schieb, pati deklaruar se për bombardimin e vitit 1999 ishte i nevojshëm një reagim për të parandaluar gjenocidin në Kosovë.

“Unë jam i vetëdijshëm se kjo është një çështje e diskutueshme dhe se nuk kishte asnjë vendim të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara por duhet të merrej një vendim, qëllimi ishte të shmangte një katastrofë humanitare, për të shmangur gjenocidin,” ka thënë Schieb për Radio Televizionin e Vojvodinës.

Ai tutje ka shtuar se bombardimi ishte “shumë i vështirë për Serbinë, por që nuk duhet të harrojmë se nuk ndodhi thjesht”, shkruan gazeta serbe N1.

Schieb konsideroi se ishte e rëndësishme që dialogu midis Kosovës dhe Serbisë të vazhdonte sepse sipas tij qëllimi i këtij procesi ishte një normalizim gjithëpërfshirës i marrëdhënieve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore