Lajme

Ambasadori Schieb: Bombardimi i vitit 1999 ishte i nevojshëm për të parandaluar gjenocidin në Kosovë


Ambasadori gjerman në Beograd, Thomas Schieb, ka deklaruar se për bombardimin e vitit 1999 ishte i nevojshëm një reagim për të parandaluar gjenocidin në Kosovë.

“Unë jam i vetëdijshëm se kjo është një çështje e diskutueshme dhe se nuk kishte asnjë vendim të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara por duhet të merrej një vendim, qëllimi ishte të shmangte një katastrofë humanitare, për të shmangur gjenocidin,” ka thënë Schieb për Radio Televizionin e Vojvodinës.

Ai tutje ka shtuar se bombardimi ishte “shumë i vështirë për Serbinë, por që nuk duhet të harrojmë se nuk ndodhi thjesht”, shkruan gazeta serbe N1.

Schieb konsideroi se ishte e rëndësishme që dialogu midis Kosovës dhe Serbisë të vazhdonte sepse sipas tij qëllimi i këtij procesi ishte një normalizim gjithëpërfshirës i marrëdhënieve.

“Të gjithë pajtohen që problemi i Kosovës duhet të zgjidhet, sepse kjo do të ishte në të mirë të Serbisë, Kosovës dhe rajonit”, ka thënë Schieb.

I pyetur nëse Gjermania mund të mohojë mbështetjen për Serbinë në rrugën e saj evropiane nëse ky shtet nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, Schieb ka thënë se “është më shumë se një pyetje hipotetike” dhe se “nuk dëshiron të jetë kaq pesimist”.

“Shpresojmë që të dy palët të jenë konstruktive, negociatat nuk mund të përfundojnë pozitivisht nëse nuk ka besim dhe atmosferë të mirë prandaj u bëjmë thirrje të dy palëve të shmangin deklaratat që mund të përkeqësojnë atmosferën dhe ta bëjnë të vështirë arritjen e një kompromisi,” tha diplomati gjerman.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore