Shqipëria

BE-ja të krijojë një narrativë më të besueshme për zgjerim në Ballkanin Perëndimor


Ilustrim

“Përkushtimi i qartë i shteteve anëtare të Bashkimit Evropian ndaj zgjerimit, kostot e larta për vetot e mundshme, përmbushja e premtimeve, të gjithë këto ngecin në një farë mënyre kur bëhet fjalë për marrëdhëniet ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Ballkani Perëndimor”.

Këto ishin disa nga konkluzionet e konferencës “Paketa e Zgjerimit 2021: Rikthimi i levës transformuese të BE-së në Ballkan”  e mbajtur të hënën nën organizimin e Qendrës së Politikave Evropiane, dhe Grupit Këshillues për Politikat e Ballkanit në Evropë (BiEPAG).

Maciej Popowski, U.D. i Drejtorit të Përgjithshëm të Fqinjësisë dhe Zgjerimit, tha se ai shpreson që të katër Konferencat Ndërqeveritare, me Malin e Zi, Serbinë, Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, do të zhvillohen deri në fund të vitit.

“Vonesat në miratimin e kornizave të negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut pati pasoja në të gjithë rajonin. Ne nuk duam të humbasim Ballkanin. Niveli i përgjithshëm i mbështetjes për zgjerimin e BE-së është ende i lartë, por nuk mund të merret si i mirëqenë”, tha Popowski, raporton portali i lajmeve, European Western Ballkans.

Maciej Popowski

Në anën tjetër Florian Bieber, profesor në Universitetin e Grazit dhe koordinator i BiEPAG, vuri në dukje se konteksti i përgjithshëm për zgjerimin është mjaft dekurajues.

“Raportet pasqyrojnë realitetin, megjithëse në Serbi ka pasur komente se raporti pasqyron me saktësi progresin teknik, por i mungon aftësia për të kapur kontekstin politik”, tha Bieber.

Ai citoi sondazhin e ri të publikuar nga BiEPAG, sipas të cilit një e katërta e qytetarëve në rajonin e Ballkanit Perëndimor besojnë se nuk do të anëtarësohen kurrë në BE, me përqindjet më të larta në Serbi (44%) dhe Maqedoninë e Veriut (34%).

“Pa një mesazh politik të qarët për zgjerim, raportet humbasin fuqinë që kishin dikur. Kjo është për të ardhur keq – Ballkani Perëndimor është në shumë mënyra më mirë se pesë vjet më parë”, tha Bieber.

Florian Bieber

Natasha Wunsch, Asistent Profesor në Sciences Po, Hulumtuese e Lartë në ETH Cyrih dhe një anëtare e BiEPAG, ka potencuar se shumica e qytetarëve në Ballkanin Perëndimor mendojnë se për mungesën e progresit drejt anëtarësimin në BE duhet fajësuar qeveritë vendore.

Por sipas saj e kundërta ndodh në Kosovë dhe Serbi pasi shumica e tyre besojnë se fajin e kanë institucionet e BE-së.

Wunsch rekomandoi që BE-ja duhet të krijojë një narrativë më të besueshme për zgjerimin, e cila do të përfshijë përmbushjen e premtimeve të saj, të ndalojë lavdërimin e liderëve me prirje autoritare, të gjejë një mënyrë për t’u marrë me këto tendenca brenda BE-së duke përfshirë rajonin në iniciativat e BE-së.

Fotoja familjare e Liderëve të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor në Samitin e Sllovenisë në mes të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore