Lajme

Bashkimi i Sindikatave kërkon rritje të pagës minimale nga Qeveria pas ngritjes së çmimeve të konsumit


Ilustrim

Rritja e çmimeve të konsumit po konsiderohet shqetësuese për Bashkimin e Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK).

Ata përmes një reagimi për media kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës që pas rritjes së vazhdueshme të çmimeve të ketë edhe rritje pagash.

Kryetari i BSPK-së, Atdhe Hykolli, përmes një reagimi ka thënë se Qeveria duhet të merr veprime për rritjen e pagës minimale.

“Fatkeqësisht edhe pse ka rritje të vazhdueshme të çmimeve edhe për artikujt esencial siç janë mielli, vaji sheqeri, etj, nuk kemi rritje pagash për punëtorët si dhe paga minimale në vend vazhdon të mbetet e njëjtë. Si kryetar i BSPK-së, dhe njëkohësisht si kryesues i Këshillit Ekonomik-social e ftoj qeverinë që t’i bashkohet Këshillit Ekonomik-social dhe të iniciohet rritja e pagës minimale në ven”, ka thënë Hykolli.

Ai ka kërkuar edhe nga Deputetët e Kuvendit të Kosovës që ta mbështesin iniciativën e tij.

“Është e rëndësishme që kjo të bëhet sa më parë në mënyra që të përfshihet në Buxhetin e vitit të ardhshëm. Njëkohësisht ftoj deputetët e Parlamentit të Kosovës, pa dallim  që të përkrahin rritjen e pagës minimale në vend”, thuhet në komunikatën për media Atdhe Hykollit, kryetar i BSPK-së.

Ndërsa kanë premtuar si BSPK, do të mbetet e përkushtuar që të bashkëpunojë me qeverinë dhe secilin institucion që mbështetë kauzën e drejtë sociale për rritjen  e pagës minimale në vend.

Ndërkaq, Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), ka publikuar “Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit (IÇK) për muajin shtator të këtij viti.

Inflacioni mujor i matur nga indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit ishte 0.1% në muajin shtator 2021, krahasuar me muajin gusht të këtij viti.

Rritje e çmimeve vërehet në bukë dhe në drithëra në vaj dhe yndyra bimore, duke përfshi edhe pijet alkoolike, duhanin dhe produktet farmaceutike.

“Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit te nëngrupet e COICOP-it: mish (0.8%); qumësht, djathë dhe vezë (0.6%); perime (2.8%); ujë, pije joalkoolike, lëngje nga pemët dhe perimet (0.5%); lëndë djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet etj. (1.3%); shërbime hoteliere (0.8%), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 0.3 për qind në IHÇK”, thuhet në raportin e ASK-së.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore