Lajme

“Kjo është shqetësuese”, vazhdon rritja e çmimeve në Kosovë


Ilustrim

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), ka publikuar “Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit (IÇK) për muajin shtator të këtij viti.

Inflacioni mujor i matur nga indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit ishte 0.1% në muajin shtator 2021, krahasuar me muajin gusht të këtij viti.

Rritje e çmimeve vërehet në bukë dhe në drithëra në vaj dhe yndyra bimore, duke përfshi edhe pijet alkoolike, duhanin dhe produktet farmaceutike.

“Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit te nëngrupet e COICOP-it: mish (0.8%); qumësht, djathë dhe vezë (0.6%); perime (2.8%); ujë, pije joalkoolike, lëngje nga pemët dhe perimet (0.5%); lëndë djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet etj. (1.3%); shërbime hoteliere (0.8%), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 0.3 për qind në IHÇK”, thuhet në raportin e ASK-së.

Njohësi i çështjeve ekonomike, Astrit Ratkoceri, në një përgjigje me shkrim për Albanian Post, ka thënë se ngritja e çmimeve të produkteve bazë ndikon drejtpërdrejtë në jetën dhe mirëqenien e konsumatorit.

“Rritjet e fundit me të vërtetë janë shqetësuese ku vërejmë se kemi një rritje të përgjithshme të çmimeve duke filluar nga ato të produkteve elementare e deri tek ato të produkteve të luksit”, ka thënë Ratkoceri.

Sipas tij, rritje të çmimeve është vërejtur edhe në vende e rajonit, Ratkoceri ka shtuar se “kjo ka një efekt edhe më të dëmshëm për Kosovën duke e pas përsysh faktin se Kosova varet shumë nga importi i mallrave”.

Ndërsa ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të krijon politika stimuluese për prodhuesit vendor.

“Në kohëra të tilla vërejmë se sa është i rëndësishëm prodhimi vendor dhe sa të nevojshme janë politikat stimuluese për prodhimin në vend si do që të jetë Kosova ende agjendën politike e ka në prioritet dhe ekonomia është lënë anash”, ka thënë Ratkoceri për AP-në.

ASK-ja në raport shpjegon se norma vjetore e inflacionit e matur në muajin shtator 2021 me muajin shtator 2020 ishte 4.9%.

Ratkoceri tregon se ngritja e inflacionit dhe luhatjet e shpeshta janë të dëmshme për ekonominë e vendit, duke ndikuar dhe në marrjen e vendimeve jo optimale si për individët ashtu edhe për bizneset në aspektin e kursimit dhe investimeve.

Ndërsa sipas tij, për Kosovën sfidë tjetër për menaxhimin e inflacionit është mungesa e valutës vetanake.

“Gjithsesi një normë e qëndrueshme e inflacionit është e dobishme për ngritjen ekonomike”, ka thënë ai.

Me termin inflacion përcaktohet rritja e çmimeve bazë të konsumit dhe shërbimeve, ose anasjelltas shkalla e rënies së fuqisë blerëse të konsumatorit. Për ta thjeshtësuar, inflacioni është një masë që tregon se sa njësi të mallrave/shërbimeve mund të blihet nga një konsumator me një euro. Për shembull, në qoftë se ne mund të blejmë dy litra qumësht me 2 euro, efekti i inflacionit prej 2% në çmim çon rritjen e çmimit të produktit me 4 cent, në 2.04 euro.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore