Kosova

Raundi i 7-të për dinarin gjatë javës – rasti i fundit për zgjidhje apo vazhdimësi e krizës?


Miroslav Lajçak

Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë pritet të takohen për herë të shtatë për t’i vazhduar negociatat për çështjen e dinarin, pikërisht në kohën e skadimit të periudhës tranzitore për zbatimin e rregullores për operacione me para të gatshme, ndërsa ndërmjetësit evropianë presin që takimi i radhës mes kryenegociatorëve për dinarin serb të jetë rasti i fundit për zgjidhje.

Emisari Special i Bashkimit Evropian (BE) për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, pas ciklit të takimeve të pasuksesshme që u zhvilluan të enjten e 25 prillit në Bruksel të Belgjikës, deklaroi se në takimin e radhës, që ndoshta do të jetë i fundit, pret nga palët “komente konstruktive” mbi “kompromisin e propozuar” për zgjidhjen e krizës së dinarit.

Lajçaku takoi kryenegociatorët e Prishtinës dhe Beogradit – Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviç – mbi tensionet që u ndezën pas rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), nëpërmjet së cilës autoritetet kosovare synojnë të ndalojnë përdorimin e dinarit brenda territorit kosovar. E raundi i shtatë i negociatave për dinarin planifikohet për të hënën ose të martën.

“Fokusi ynë mbetet në gjetjen e një zgjidhjeje të dobishme reciproke për ata që preken nga rregullorja e BQK-së. Pas diskutimeve të gjera dhe dëgjimit nga afër të të dyja palëve, ne kemi paraqitur një propozim kompromisi. Pres me padurim komentet e tyre konstruktive ndërsa ne punojmë drejt gjetjes së një rruge përpara”, deklaroi Lajçaku në fund të javës.

Pëkundër se asgjë nuk është zyrtare, data 13 maj [sot] u përmend si afat për vazhdimin e negociatave, duke qenë se edhe periudha tranzitore prej tre muajsh për zbatimin e rregullores për operacionet me para të gatshme skadon këtë të hënë. Në bazë të planit 10-pikësh të BQK-së, parashihej mosaplikimi i sanksioneve dhe lehtësimi i procesit të këmbimit të dinarëve.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, deklaroi gjatë javës së kaluar se blloku pret që takimi i radhës mes kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë për çështjen e dinarit serb të jetë rasti final për zgjidhje në bazë të propozimit të bërë nga Lajçaku, por nuk u zbardhën detaje konkrete të propozimit evropian që autoritetet kosovare e cilësuan konstruktiv për zgjidhjen e nyjes së dinarit.

“BE-ja u bën thirrje të dyja palëve që të pranojnë këtë propozim dhe mbetet e gatshme të jetë mikpritëse e takimit final, nëse palët angazhohen në mënyrë konstruktive lidhur me propozimin e BE-së”, deklaroi Stano në një përgjigje për Radio Evropa e Lirë një javë pas takimit në kryeqendren evropiane, ku kryenegociatorët u mbyllën për mbi shtatë orë por nuk gjetën zgjidhje.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, njëherësh shef i delegacionit kosovar, tha pas ciklit të ri të dialogut se Serbia pati “qëndrime shqetësuese” sa i përket çështjes së dinarit, ndërsa shtoi se në vend që palët të gjejë njëfarë mesi të kënaqshëm për zgjidhjen e kësaj çështjeje, destruktiviteti/dekonstruktiviteti i Serbisë zgjeroi hendekun e qëndrimeve.

“Ne kemi shpresuar që ky diskutim konkret do jetë i dobishëm meqë do të na ndihmojë që t’i afrojmë qëndrimet. Fatkeqësisht ne kemi dëgjuar disa deklarata bukur brengosëse nga ana e Serbisë, të cilat kanë bërë që faktikisht qëndrimet në vend që të afrohen të largohen”, nënvizoi ai në një deklaratë për gazetarët pas takimit trelateral që u zhvillua më 25 prill 2024.

Sidoqoftë, sa u përket propozimeve rreth zgjidhjes së problemit, ndonëse një muaj më parë autoritetet kosovare hodhën poshtë propozimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), duke nënvizuar se nuk pranojnë propozime që dalin jashtë kornizës rregulluese të BQK-së, propozimin e Lajçakut zëvendëskryeministri kosovar e cilësoi konstruktiv dhe të drejtë.

E përderisa deklaratat e Bislimit sugjerojnë se pala kosovare e pranoi “propozimin konstruktiv” të Lajçakut, delegacioni serb në udhëheqjen e drejtorit të të ashtuquajturës “Zyrë për Kosovë” në Serbi, Petar Petkoviç, akuzoi autoritetet kosovare se synojnë të “dëbojnë” serbët nga Kosova, ndërsa konsideroi se kjo “çështje ekzistenciale” duhet të zgjidhet urgjent.

Megjithatë, për shkak se palët nuk kanë arritur marrëveshje në takimin e fundit, terreni i kërkimit të madh për “formulën e zgjidhjes” pritet të vazhdojë këtë javë, ndërsa mbetet për t’u parë nëse lista e “skenarëve të dhunës” që mund të rezultojnë për shkak çështjes së dinarit dhe tensioneve ekzistuese do të zgjerohet apo do të gjendet një kompromis në dialog.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore