Sport

Barcelona futet në mes të City-t dhe Bayern-it, kërkon transferimin e Cancelo-s


Barcelona është e interesuar për ta transferuar mbrojtësin anësor, Joao Cancelo-n.

Mediat në Spanjë raportojnë se katalunasit do të tentojnë në verën e ardhshme ta bëjnë të tyrin mbrojtësin portugez.

Cancelo aktualisht është i huazuar nga Manchester City te Bayern Munich, por këta të fundit ende nuk dihet se a do ta blejnë kartonin e tij.

Lojtari portugez humbi postin e titullarit te kampionët e Anglisë, andaj vështirë të besohet se do të rikthehet aty, të paktën për aq kohë sa në stol do të jetë Pep Guardiola.

Në kushte të tilla, Barcelona është futur në këtë mes dhe kërkon të përfitojë për ta transferuar futbollistin që City-t i kushtoi hiç më pak se 65 milionë euro në verën e vitit 2019.

Në anën tjetër edhe trajneri i Barcelonës, Xavi Hernandez, e vlerëson shumë portugezin edhe prej faktit që ai mund të mbulojë pozicione të tjera në fushë.

Kujtojmë që mbrojtësi 28-vjeçar ka kontratë të lidhur me kampionët e Premier Leauge-s deri në verën e vitit 2027, por duke pasur parasysh situatën e krijuar, anglezët mund ta lirojnë atë edhe për një çmim më të ulët se sa e kanë blerë.

Cancelo ka filluar menjëherë të shkëlqejë me fanellën e Bayern-it, i cili ka shënuar një gol dhe ka dhuruar katër asistime në tetë ndeshje në të gjitha garat.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore