Lajme

Arrestohen dy serbë në Jarinjë


Policia e Kosovës.

Dy serbë janë arrestuar në pikë kalimin në Jarinjë, të premten.

Lajmin për Albanian Post e ka konfirmuar zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës së Veriut, Veton Elshani.

“Njëri nga të arrestuarit nuk i ka kryer ditët e burgut dhe është dërguar sërish për 12 ditë në burg, ndërsa tjetri është duke u intervistuar nga krimet e rënda”, deklaroi Elshani.

Më 27 prill, një serb ishte arrestuar në pikën kufitare Bërnjak, pasi që dyshohet për krime lufte.

Lajmi ishte bërë i ditur nga Prokuroria Speciale e Kosovës përmes një komunikate për media, të cilët njoftuan se i arrestuari dyshohet për krime lufte në Gjakovë.

“Prokuroria Speciale (PS), dhe Policia e Kosovës, njoftojnë opinionin publik se, sot, në pikën kufitare të Republikës së Kosovës me Serbinë, konkretisht në Bërnjak,  është ndaluar një person me inicialet J.Š., i dyshuar se gjatë viteve 1998 – 1999, në Komunën e Gjakovës, ka kryer veprën penale ‘Krime lufte kundër popullatës civile’”, thuhet në njoftim.

Me aktvendim të Prokurorisë Speciale, i njëjti ishte ndaluar për 48 orë, dhe brenda afateve kohore ligjore ndaj të njëjtit kjo prokurori kishte thënë se do të bëjë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore