Lajme

Ana Bërnabiç pritet ta formojë Qeverinë e re të Serbisë


Ana Bërnabiç

Kryeministrja në largim e Serbisë, Ana Bërnabiç, është propozuar për të formuar Qeverinë e re të Serbisë.

Këtë vendim e ka bërë të ditur vetë presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në një konferencë për media, të shtunën e 27 gushtit.

Vuçiç, i cili po drejtohet publikut me rastin e zgjedhjes së Qeverisë së re të Serbisë, ka bërë të ditur se Bërnabiç nuk do të jetë kryeministre për katër vjet, kjo pasi që në vitin 2024 do të ketë ndryshime në Qeveri.

“Është shumë e rëndësishme që ajo të mbetet kryeministre në mënyrë që ne të vazhdojmë dhe të punojmë me zell për zgjidhjen e problemeve në vjeshtë dhe dimër të këtij viti. Është e rëndësishme që dikush që ka përvojë dhe në të cilin kam besim mund ta bëjë këtë në këtë moment”, është shprehur Vuçiç.

Bërnabiq ka qenë në krye të Qeverisë serbe në mandatin e kaluar dhe ishte mandatar nga partia në pushtet, Partia Përparimtare Serbe.

Qeveria serbe zgjidhet në Kuvend pas propozimit të kandidatit për kryeministër. Kuvendi më pas voton për zgjedhjen e kabinetit qeverisës.

Partia Përparimtare Serbe (SNS) së bashku me partneren e saj tradicionale, Partinë Socialiste të Serbisë, kanë shumicën në Kuvend.

Zgjedhjet parlamentare në Serbi u organizuan më 3 prill, ndërsa rezultatet përfundimtare u morën pas votimit të pestë në Tërnoc të Madh më 3 korrik, ku zgjedhjet u përsëritën disa here për shkak të kundërshtimeve.

Ndryshe Kuvendi i Serbisë, u konstitua më 1 gusht.

Kryetari i Kuvendit u zgjodh Vladimir Orliç nga Partia Përparimtare Serbe.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore