Lajme

Ambasadorja e Francës: Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është domosdoshmëri


Ambasadorja e Francës në Kosovë, Marie Christine Butel dhe ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde gjatë ceremonisë së përvjetorit të Armëpushtimit.

Ambasadorja e Francës në Kosovë, Marie Christine Butel gjatë ceremonisë së përvjetorit të Armëpushtimit të datës 11 nëntor të 1918 që i dha fund Luftës së Parë Botërorë deklaroi se dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë është domosdoshmëri.

“Dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë është domosdoshmëri dhe duhet të zhvillohet me një frymë konstruktive dhe të hapur, pasi kjo është forma e vetme për të arritur pajtimi në mes dy vendeve dhe një të ardhme të përbashkët”, tha Christine Butel.

Ndërsa, konsideron që arritja mes Gjermanisë dhe Francës është shembull për të gjithë rajonin, pasi mësimi i luftës nuk mund të jetë mbajtja e inatit të një populli kundër tjetrit.

“Dialogu edhe pse i gjatë dhe i vështirë është një domosdoshmëri që duhet të zhvillohet në një frymë konstruktive dhe të hapur. Kjo është rruga qe Kosova dhe Serbia duhet të ndjekin tani për të arritur pajtimin dhe për të qenë në gjendje të ndërtojnë një të ardhme të përbashkët”, u shpreh ajo.

Ambasada e Francës dhe Ambasada e Gjermanisë në Kosovë kanë përkujtuar këtë ditë, duke bërë homazhe tek varrezat e krishterëve në Prishtinë.

Ambasadorja e Francës në Kosovë, Marie Christine Butel.

Ambasadorja Butel, theksoi se Franca dhe Gjermania atë kohë gjetën rrugën drejtë vëllazërisë dhe paqes.

Sipas saj, “miqësia në mes këtyre dy vendeve ka bërë të mundur krijimin e një Evrope të fortë, të pavarur dhe të përkushtuar ndaj solidaritetit dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut”.

Ajo tha se refuzimi i urrejtjes, frikës dhe mbylljes në vete duhet të na udhëheqë sot në përkujtim të këtyre ngjarjeve.

“Historia jonë na kujton se paqja është një ekuilibër delikat që duhet ruajtur në çdo kohë. Ai presupozim një bashkim solid midis popujve të Evropës për të tejkaluar sfidat më të cilat përballemi sot qofshin ato politike ekonomike klimatike apo migrimit”.

Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde u shpreh se në këtë ditë përkujtojnë një luftë të tmerrshme që solli vuajtje të mëdha dhe la gati 20 milionë të vdekur.

“Ne qëndrojmë këtu së bashku duke ditur për historisë tonë të përbashkët, e cila përfundimisht ka bashkuar gjermanët, francezët dhe evropianët”, theksoi Rohde.

“Ne e dimë tani për fuqinë e pajtimit me kundërshtarët tanë të mëparshëm, ku çdo brez si gjyshi dhe babai im dhe vëllezërit e motrat e tij luftuan ndër të tjera kundër Francës në dy luftërat shkatërruese botërore”.

Edhe ai kujtoi momentet kur Gjermania dhe francezët dikur ishin kundërshtarë.

“Gjermanët dhe francezët dikur ishin kundërshtarë të hidhur dhe tani miq, partnerë, fqinjë, dhe të bashkuar në BE. Kjo duhet të japë shpresë dhe besim edhe për të tjerët në botë, armiqtë mund të bëhen miq. Përçarjet e thella mund të kapërcehen dhe tejkalohen”.

Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde.

Të pranishëm në këtë ceremoni krahas përfaqësuesve nga ambasada e Gjermanisë dhe Francës të pranishëm ishin edhe shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szuyong dhe ambasadori britanik, Nicholas Abbott.

Më 11 nëntor të vitit 1918, Gjermania nënshkruan një marrëveshje për armëpushim me aleatët në një vagon treni në pyllin Compiegne të Francës.

Luftimet ndaluan zyrtarisht në orën 11:00, të ditës së 11 të muajit të 11 dhe kjo ditë është nderuar çdo vit me një heshtje dy-minuta, ndërsa Shtetet e Bashkuara e kanë shpallur 11 nëntorin si Ditë e Veteranëve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore