Muzikë

Alban Ramosaj braktisë muzikën: Më mirë se sa ta lejoj veten të luftoj në ambiente të padrejta


Artisti shqiptar, Alban Ramosaj, ka njoftuar tërheqjen e tij nga industria e muzikës, për një afat të pacaktuar kohor.

Përmes një postimi në Instagram, Ramosaj, ka zbuluar se “pushtimi” i muzikës nga trendet e reja, “ia kanë fikur atij motivin për të vazhduar tutje” në këtë rrugëtim dhe i kanë ndikuar negativisht edhe në kreativitet.

“Gjatë jetës sime, kam jetuar me filozofinë e përqafimit dhe ndjekjes së ëndrrave dhe aspiratave të fëmijës së brendshëm. Autenticiteti që artistët, veçanërisht muzikantët sjellin në veprat e tyre gjithmonë ka rezonuar thellë me mua. Megjithatë, kam kuptuar që pak nga pak, kam kompromentuar thelbin e asaj që përshkruan uni-n tim artistik”, ka shkruar Ramosaj.

“Së fundmi, jam ndeshur shpesh me sfidën e shprehjes autentike artistike. Ndikimet e jashtme kanë pushtuar ngadalë, hap pas hapi hapësirën time kreative, kështu, duke fryer fort mbi flakën e qiriut që njëherë më dha motiv. Ajo që nisi si një ëndërr, një pasion i palodhur, ajo që më shoqëronte nga agimi deri në perëndim, ndjej që pas gati 10 vitesh, është duke u zbehur”, ka shtuar ai.

Këtë “dorëzim” në një treg si ai i muzikës, ylli i hitit “Thikat e mia”, ka thënë se po e ndërmerr për shkak të një “lufte” të padrejt dhe të pafavorshme.

“Fusha e betejës në të cilën gjëndem, ka lënë fëmijën tim të brendshëm të-plagosur dhe të ndjeshëm, i gjakosur shtrirë në krahët e mia, duke shikuar drejt syve të mi, duke pëshpëritur,  ‘Të lutem, mund të vazhdoj ende, mund t’ja dal’”, ka shkruar ai.

“Mençuria shoqëron kalimin e kohës dorë për dore. Kam mësuar se të dorëzohesh në një betejë nuk është ekuivalente me humbjen e luftës, e kështu, tashmë di më mirë se sa të lejoj veten të “luftoj” në ambiente të padrejta apo ‘të pafavorshme’”, ka shtuar tutje artisti.

Për fund, Ramosaj, është shprehur falënderues ndaj mbështetjes që kishte ftuar prej publikut përgjatë viteve aktive në muzikë, e që përfshin një periudhë prej jo më pak se 10 vjetësh.

“Mbështetja juaj e palëkundur, brohoritjet, duartrokitjet, sytë tuaj vëzhgues, veshët që dëgjojnë dhe mirëbesimi i të lënurit zemrat tuaja nën influencën e penës sime, më kanë mbajtur, dhe për këtë, ju jam më shumë se kurrë-mirënjohës, përgjithmonë”, ka shtuar ai.

“Derisa të takohemi sërish, faleminderit dhe lamtumirë”, ka përfunduar ai.

Alban Ramosaj, ndryshe rrjedh nga një familje artistësh – ai është vëllai i këngëtares, Beatrix Ramosaj, dhe nipi i artistes, Albërie Hadërgjonaj.

Ai ka sjellë një mori hitesh shqipe, në frymën dhe botën e tij, duke preferuar të qëndrojë i shkëputur nga “vallja komerciale” e kohës.

“A më do?”, “Aurora”, “Bit*hi i mesnatës” e “Theje” janë disa prej këngëve nga Ramosaj, që shënuan sukses goxha të madh pas publikimit të tyre.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore