Lajme

Abbott: Kosova të propozojë një draft-statut për Asociacionin  


Nicholas Abbott

Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicholas Abbott, përmes një postimi në rrjetin e tij social në Twitter, ka kërkuar që Kosova të propozojë zyrtarisht një draft-statut për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

Ky draf-statut, sipas diplomatit britanik, duhet të jetë i mbështetur në draft-vizionin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, draft-Vizion i cili merr për bazë modelin e aplikuar në Kroaci për komuniteti serb atje, dhe në përputhje me kriteret e përcaktuara nga Bashkimi Evropian, si ndërmjetësues i bisedimeve.

Ndër të tjera Abbott ka bërë të ditur se gjatë kësaj jave Kosovën pritet të vizitojë edhe Drejtoresha për Ballkanin Perëndimor në kuadër të Zyrës së Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, Victoria Billing.

“Kjo javë do të shohë shumë vizitorë të rëndësishëm në Prishtinë, duke përfshirë Drejtoreshën për Ballkanin Perëndimor, Victoria Billing në Kosovë. Aleatët duan të shohin përparim në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë”, ka shkruar Abbott në Twitter.

Çfarë ndodhi?

Në takimin e radhës së nivelit të lartë në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiç, miratuan deklaratën për Personat e Pagjetur dhe u njoftuan me draft-statutin e parë për Asociacionin e Komunave me Shumicë serbe, e cila u prezantua nga Ekipi Menaxhues për hartimin e draft-statutit të këtij mekanizmi i udhëhequr nga deputetja serbe, Danijela Vujiçiç.

Pas takimi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se drafti i statutit i prezantuar të martën në Bruksel nga ekipi në fjalë është i papranueshëm, meqë është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës pasi prezanton qartësisht një dëshirë për Republika Srpska në Kosovë.

Mu për këtë arsye i pari i qeverisë ka thënë se Ekipi Menaxhues është dekomisionuar, pas propozimit të draftstatutit.

Prandaj, një ditë më pas, saktësisht më 3 maj ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, njoftoi se ka liruar nga detyra anëtarët e Ekipit Menaxhues, të thirrur për hartimin e draft-statutit të Asociacionit.

Krasniqi tha, se vendimi i tij bazohet në Marrëveshjet e Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.

Megjithatë sipas Stanos, ekipi menaxhues i përbërë nga serbët e Kosovës mund të shpërbëhet vetëm pasi të aprovohet drafti final për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, prandaj vendimi i Qeverisë së Kosovës për t’i liruar katër anëtarët nga detyra, përbën shkelje.

“Ekipi menaxhues duhet të qëndrojë derisa statuti i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe të adaptohet/aprovohet”, deklaroi Stano.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore