Lajme

AAK: Pushteti po refuzon të gjitha amendamentet e propozuar nga opozita për Buxhetin


Pal Lekaj

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, i cili e përfaqëson këtë subjekt edhe në Komisionin për Buxhet dhe Ekonomi, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për mospërfillje të kërkesave buxhetore, ndërsa ka njoftuar se të gjitha amendamentet buxhetore të bëra nga kjo parti janë hedhur poshtë nga Qeveria.

Duke kritikuar Qeverinë për planifikim jo të duhur të buxhetit për vitin 2024, Lekaj, ka thënë se Qeveria e Kosovës, përpos kërkesave të AAK-së për buxhetin e vitit 2024, nuk ka përfillur as kërkesat e agjencioneve të pavarura e ndërmarrjeve publike.

“AAK-ja ka bërë kërkesa apo amendamente që shkojnë në favor të qytetarëve, por janë injoruar tërësisht. Asnjë amendament nuk është shqyrtuar, analizuar dhe apriori i kanë hedhur poshtë”, ka thënë ai, në një konferencë për media.

Disa nga kërkesat e AAK-së, të cilat nuk janë pranuar, kanë qenë edhe buxhetimi për rrugën Dollc – Gjakovë dhe vlera e koeficientit te Ligji për Paga.

“Nëse vizitohet ajo rrugë, shihet se ka mbetur në gjendje të mjerueshme ku qytetarët kanë vështirësi në lëvizje dhe i dëmtojnë automjetet e tyre. Po ashtu, tërë vitin kemi apeluar te qeveria, kemi debatuar në kuvend për sa i përket koeficientit në vlerë prej 129 euro. Fare nuk është shqyrtuar dhe është injoruar totalisht”, ka potencuar ai.

Më tej, ai ka përmendur edhe çështjen e pensioneve, ku tha se kanë kërkuar nga qeveria që ato të rriten nga 100 në 120 euro, por sipas tij, edhe kjo kërkesë është injoruar nga qeveria.

“Të gjitha amendamentet e komunave të opozitës si tërësi janë hedhur poshtë”, tha Lekaj.

Në anën tjetër, shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se shumica parlamentare e Lëvizjes Vetëvendosje, buxhetin e Kosovës e ka kthyer në buxhet të partisë së vet.

“Mbi 22 komuna nuk ka asnjë projekt të ri. Të gjitha amendamentet e komunave, të gjitha janë refuzuar. Kjo na tregon për një arbitraritet. Ky subjekt politik ka nevojë për opozitën vetëm atëherë kur i ngushtohet në aspektin e sigurisë në Veri apo çështjet kur lidhen me votimet e 2/3”, tha ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore