Shqipëria

11 parti të regjistruara për 6 mars, lëvizja e Berishës jo


Në zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit, janë regjistruar 11 parti politike, por lëvizja e Sali Berishës dhe vendosja e saj në një koalicion me Lëvizjen Socialiste për Integrim, nën siglën “Shtëpia e Lirisë”, nuk është pjesë.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, i cili nëpërmjet një postimi në Twitter, ka treguar edhe listën e plotë të subjekteve të regjistruara.

“Nuk është paraqitur në KQZ & në asnjë KZAZ ndonjë kërkesë për regjistrim si subjekt zgjedhor në zgjedhjet e pjesshme vendore, asnjë Komitet Nismëtar”, shkruan Celibashi, duke iu referuar lëvizjes Berisha.

Komisioni i Rihemelimin, zgjodhi më 30 janar kandidatët për lokalet e 6 marsit, pas zhvillimit të primareve brenda anëtarësisë. Më pas, ish-kryeministri, Sali Berisha, doli në një prononcim, duke thënë se ka arritur akordin me LSI-së, për të garuar së bashku në lokale, duke mbajtur si kandidatë emrat e Komisionit të Rithemelimit.

Por, sipas njoftimit të Celibashit, regjistrim të tyre nuk ka nën një sigël të veçantë.

Vetë LSI-ja, është një prej subjekteve të regjistruara. Ajo i bashkohet Partisë Socialiste dhe asaj Demokratike, për të plotësuar treshen e partive të mëdha në Shqipëri.

Subjekte të tjera janë Fryma e Re Demokratike, Partia Kristian Demokrate, Partia Demokristiane e Shqipërisë, Partia e Reformave Demokratike e Shqipërisë, Partia Bashkimi Demokrat, Partia Lëvizja e Legalitetit, Partia Balli Kombëtar Demokrat.

Kështu plotësohet edhe lista me 11 emra.

Ndërkohë, Komisioneri ka bërë me dije se KQZ-ja, ka në dispozicion 24 orë kohë, për të kthyer për plotësim dokumentacionin e partive, ku hasen mangësi. Më pas, vijohet me miratimin e tyre në seancë.

Nga ana e vetë subjekteve, do të ketë më pas po 24 orë kohë, për të sjellë kërkesën për koalicione të mundshme zgjedhore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore