Sport

Zyrtare: UEFA heq rregullin e golit të shënuar në fushën kundërshtare


Tashmë është zyrtare, që goli i shënuar në fushën kundërshtare, do të vlejë njëjtë sikurse të shënohet në fushën vendase.

UEFA ka njoftuar se duke filluar nga sezoni 2021/22, rregulli i golit në fushën kundërshtare do të hiqet nga çdo kompeticion i saj.

Pra nga sezoni i ardhshëm, nuk do të vlejë rregulli që favorizon skuadrat mysafire, në ndeshjet vajtje-ardhje.

Në rast se pas dy ndeshjeve skuadrat mbesin me rezultat të barabartë, atëherë do të shkojnë në vazhdime, apo nëse është nevoja do të ketë edhe ekzekutim të penalltive.

Rregulli i golit jashtë fushe ishte në fuqi që nga viti 1965, i cili ishte kritikuar nga shumë njerëz të futbollit.

I fundit që shprehi pakënaqësi, ishte edhe vet presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin, i cili u shpreh i kënaqur pas shfuqizimit të këtij rregulli.

“Shumë njerëz të futbollit kanë vënë në dyshim barazinë e këtij rregulli dhe kanë kërkuar shfuqizimin e tij. Ndikimi i rregullit shkon kundër qëllimit të golit, pasi që skuadrat vendase, mbrohen më shumë që të mos pësojnë, për shkak të peshës së golit të shënuar nga mysafiri”.

“Tani ky rregull është shfuqizuar dhe nuk do të aplikohet në asnjë kompeticion të UEFA-s për klube, duke nisur nga sezoni 2021-2022”, tha mes tjerash kreu i UEFA-s, Aleksander Ceferin.

Kujtojmë që shumë ndeshje interesante kanë përfunduar në barazim pas dy ndeshjeve, mirëpo për shkak të golave më shum të shënuar në fushën kundërshtare, janë kualifikuar tutje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore