Sport

Dy italianë mes kandidatëve për stolin e Chelsea-t


Enzo Maresca (Getty)

Roberto de Zerbi dhe Enzo Maresca janë ndër kandidatët për të zëvendësuar Mauricio Pochettino-n te Chelsea.

Dy trajnerët italianë, De Zerbi dhe Maresca, janë ndër kandidatët që Chelsea po mendon për të zëvendësuar Pochettino-n, raporton “La Gazzetta dello Sport”.

Blutë konfirmuan largimin e argjentinasit me një deklaratë zyrtare të martën dhe sipas gazetës italiane, ata do të ndryshojnë strategjinë këtë verë, duke zgjedhur një trajner që mund të zhvillojë lojtarë të rinj dhe të çojë përpara një projekt afatgjatë dhe jo një trajner të njohur, si ish-shefat e tyre Jose Mourinho, Antonio Conte apo Thomas Tuchel.

“Gazzetta” pretendon se De Zerbi dhe Maresca janë ndër kandidatët për këtë rol. Thiago Motta ishte lidhur më parë me punën në “Stamford Bridge”, por ish-mesfushori italian pritet të nënshkruajë një marrëveshje dyvjeçare me Juventus-in.

Ka padyshim opsione të tjera për angelzët, duke përfshirë Ruben Amorim (Sporting CP), Sebastian Hoeness (Stuttgart), Michel (Girona) dhe Kieeran McKenna (Ipswich).

Maresca është një ish-asistent trajner i Pep Guardiola-s te Manchester City dhe ka siguruar promovimin në Premier League me Leicester City-n këtë sezon. Kontrata e tij me “Dhelprat” skadon në qershor 2026.

Nga ana tjetër, De Zerbi është larguar nga Brighton me marrëveshje të përbashkët, kështu që ai është i lirë të nënshkruajë me çdo klub tjetër.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore