Sport

Zyrtare: Roberto Mancini rinovon kontratën me Italinë deri në vitin 2026


Roberto Mancini ka rinovuar kontratën me Kombëtaren e Italisë, deri në vitin 2026.

Pra, italiani do të vazhdojë të jetë pjesë e kombëtares, edhe për dy Kupat e Botës, në Katar në vitin 2022 dhe në vitin 2026 në Kampionatin Botëror që do të organizohet në SHBA, Meksikë dhe Kanada.

Pas zgjatjes së bashkëpunimit, presidenti i Federatës Italiane të Futbollit, Gabriele Gravina, tha se “Është një projekt afatgjatë, ne duam t’u japim një trofe tifozëve tanë dhe ky është qëllimi ynë”.

Gjithashtu edhe Roberto Mancini u shpreh i lumtur për zgjatjen e kontratws, duke shprehur objektivat për të ardhmen, si dhe theksoi se ka një bashkëpunim të mirë me presidentin Gravina.

“Gravina dhe unë kemi kaluar një kohë të mirë, kemi punuar shumë në këto dy vjet. Jemi përmirësuar dhe mund të përmirësohemi edhe më tej, nuk kishte asnjë arsye për të mos vijuar bashkëpunimin. Objektivi është të fitojmë dhe ne po ecim në atë rrugë së bashku”, deklaroi Mancini në konferencën për media.

Ai gjithashtu foli edhe për të ardhmen e tij në Kombëtaren italiane duke theksuar që do të punojnë shumë për të arritur suksese.

“Jam shumë i lumtur dhe dua ta falënderoj presidentin për këtë moment të bukur. Do të ketë shumë evente dhe nuk e kemi të lehtë për të fituar, por me punë dhe përkushtim do të vazhdojmë atë që e filluam tre vite më parë”, tha përzgjedhësi i Kombëtares së Italisë, Roberto Mancini.

Roberto Mancini është në krye të Italisë që nga maj i vitit 2018 duke udhëhequr të kaltërit gjatë 30 ndeshjeve zyrtare, prej të cilave 21 i ka fitore, kundrejt shtatë barazimeve dhe vetëm dy humbjeve.

Ai para se të nënshkruante me Italinë, ka udhëhequr ekipe si: Zenit, Inter, Manchester City, Galatasaray, Lazio dhe Fiorentina.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore