Lajme

Zulfaj i reagon BE-së për “komunat serbe” në Kosovë: Institucionet e Serbisë që kryen gjenocid ia mbathën në vitin 1999


Jeton Zulfaj dhe Albin Kurti

Jeton Zulfaj, këshilltar politik i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, reagoi nëpërmjet një postimi në platformën “X” të dielën ndaj deklaratës së Zëdhënësit të Bashkimit Evropian (BE) për Politikë të Jashtme dhe Siguri, i cili udhëzoi Qeverinë e Kosovës t’i shmangë “veprimet e njëanshme” që nxisin “tensione të panevojshme” në pjesën veriore të vendit.

Zulfaj sugjeroi Stanon të mos e ngarrojë as periudhën kur funksiononin institucionet ilegale serbe në territorin e Kosovës e për më tepër as qëllimin i dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nën ndërmjetësimin e BE-së, duke shtuar se institucionet e Serbisë në Kosovë kryen spastrim etnik dhe gjenocid gjatë luftës së vitit 1999.

“Të mos e ngatërrojmë as periudhën në të cilën jetojmë dhe as për çfarë bëhet fjalë në dialogun e Brukselit. Institucionet e drejtuara nga serbët ia mbathën me ushtrinë serbe në vitin 1999 pas spastrimit etnik dhe gjenocidit, qindra masakrave dhe vrasjeve të mijëra civilëve, duke përfshirë 1 mijë e 133 fëmijë”, shkroi këshilltari Zulfaj të dielën pasdite.

BE-ja akuzoi të dielën Qeverinë e Kosovës se nëpërmjet “lëvizjeve të njëanshme” është duke nxitur “tensione të panevojshme” në pjesën veriore të vendit të banuar me serbë etnikë, duke iu referuar mbylljes së zyrave paralele të Serbisë në Dragash, Pejë, Istog dhe Klinë, por edhe mbylljen e një Organizate Jo-Qeveritare (OJQ) në Prishtinë që vepronte kundërligjshëm.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore