Shqipëria

Zhvendoset pas 97 vitesh busti i Çerçiz Topullit


Busti i heroit Çerçiz Topulli është zhvendosur ditën e sotme, për herë të parë pas 97 vitesh. Ai ishte i vendosur në qendër të sheshit, që mbante të njëjtin emër, në qytetin e Gjirokastër.

Specialistët bëjnë më dije se zhvendosja do të jetë e përkohshme dhe ka ardhur si pasojë e punimeve që po kryhen për rehabilitimin e sheshit dhe ndërtimin e një parkimi nëntokësor.

Gjithashtu, bashkë me shtatoren është hequr edhe bazamenti me vlera monumentale, në të cilin ishte vendosur punimi i mjeshtrit Odise Paskali qysh prej vitit 1934.

Shtatorja do të rikthehet sërish në përfundim të punimeve.

Monumenti i heroit Çerçiz Topulli u vendos në Gjirokastër në vitin 1934 dhe u realizua nga Odhise Paskali.

Ndërsa financimi u mundësua nga kontributi i shqiptarëve brenda dhe jashtë vendit.

Revista “Minerva” e Nebil Çikës, në numrin e 15 majit të vitit 1934 jep detaje interesante e foto të ceremonisë së ngritjes së bustit, por gjithashtu përmban edhe një shkrim të Xhevat Kallajxhi si nismëtar për realizmin e kësaj sipërmarrje.

Gazetari shqiptaro-amerikan, Kallajxhi, shkruan se në vitin 1927 ndërsa vizitoi Italinë u mahnit nga statujat atje, ndaj edhe i lindi ideja që diçka e ngjashme të bëhej në vendlindjen e tij.

Pasi u kthye në Tiranë, ai bisedoi me një kushëririn e tij për idenë e ngritjes së një monumenti për Çerçiz Topullin në Gjirokastër i cili i sugjeron emrin e skulptorit Odhise Paskali.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore