Lajme

Vulin ofendon kryeministrin Kurti, e quan “budalla”


Ministri serb i Punëve të Brendshme, Aleksandar Vulin.

Ministri serb i Punëve të Brendshme, Aleksandar Vulin, e ka quajtur “budalla”, kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, derisa ishte duke folur rreth zhvillimeve në pikat kufitare në Jarinjë e Bërnjak.

Sipas Vulin, nevojitet vetëm një budalla për ta ndezur luftën dhe se ai person “është kryeministri Kurti”.

“Nevojiten të paktën dy persona për ta bërë paqen, ndërkaq për luftën mjafton vetëm një budalla, dhe jam i frikësuar se atë budalla e kemi në anën tjetër, ai ndodhet në Prishtinë dhe emri i tij është Albin Kurti”, ka thënë Vulini për mediat serbe.

Ai shtoi se Serbia ka arsye për të qenë e shqetësuar.

“Njerëzit që udhëheqin në Prishtinë janë qyqarë të vërtetë, dhe mund të presësh çka do prej tyre”, është shprehur Vulin, i cili njihet për gjuhën e tij fyese në raport me shqiptarët.

“Pyes veten se cila është alternativa e BE -së, ne duhet të mendojmë për të. Ata padyshim kanë treguar se nuk ka asgjë prej tyre, nënshkrimi i tyre nuk vlen asgjë. Pyetja këtu është nëse BE -ja ka ndonjë kredibilitet për të vazhduar bisedimet, nëse mund të jetë mbrojtësja e bisedimeve tona, nëse nënshkrimi i saj nuk respektohet”.

Ndërkaq vazhdoi duke thënë se, “unë nuk jam i sigurt se kush nuk respektohet këtu. Nëse Kurti është BE, apo vetë BE-ja, nuk jam i sigurt”.

Të premten, Vulin është shprehur se serbet në Kosovë nuk janë vetëm, ata kanë Serbinë.

“Një program si ai i marsit të 2004-tës, ku kolona të gjata me serbë dëbohen me gurë, e me forcë, ku Serbia shikon kah qielli dhe hesht ndaj së gjithës, kjo s’do të ndodh më kurrë. Serbët në Kosovë nuk janë vetëm, ata kanë Serbinë”, tha Vulin.

Ndërkaq, theksoi se po presin urdhrin e presidentit Vuçiç për të mbrojtur serbët në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore