Lajme

Vetë-menaxhim apo Autonomi – për çka flet Neni 7 i Marrëveshjes?


Ilustrim

“Sigurimi i një niveli të duhur vetë-menaxhimi, i cili përmendet në Nenin 7 të Marrëveshjes për rrugën e normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për të cilën Albin Kurti e Aleksandër Vuçiç u pajtuan në parim në Bruksel të hënën e 27 shkurtit, sipas Profesorit të së Drejtës Ndërkombëtare, Mazllum Baraliu, nuk është asgjë tjetër përveç një autonomi territoriale për serbët e Kosovës.

Me këtë formulim, shpjegon më tej Baraliu, serbët fitojnë vetëvendosjen.

“Pra serbëve në kundërshtim me Kushtetutën me Ligjet e Kosovës, duke i diskriminuar komunitetet e tjera pakicë jepet e drejta e vetëvendosjes në Veri, plus Asociacioni jo vetëm në Veri, por në gjithë Kosovën. Pra kjo marrëveshje është më e keqe edhe se Marrëveshja e Brukselit e vitit 2013 dhe ajo e vitit 2015 pasi. E para ka paraparë vetëm një Asociacioni ndërsa e dyta ka precizuar dhe konkretizuar parimet e atij mekanizmi”, thotë Baraliu për Albanian Post.

Kategorik në këtë ishte kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili në Kuvendin e Kosovës tentojë të jap sqarim për Nenin 7 të marrëveshjes që nga deputetët u konsiderua si një dispozitë tejet problematik.

Shefi ekzekutiv dha garanci se vetë-menaxhimi i përmendur në Nenin 7 nuk duhet interpretuar si vetëqeverisje apo ndonjë autonomi për serbët, kjo pasi që ky nen flet për komunitetin serb jo për komunat me shumicë serbe.

“Kjo nënkupton që rezultati duhet të jetë një format i respektit për të drejtat individuale, jo territoriale të pakicave. Që bazohet në individin me të drejta edhe sipas përkatësisë e jo në institucionet apo monopolin territorializues të tyre”, ka shpjeguar Kurti.

Për ta forcuar argumentin e tij, Kurti, ka nënvizuar faktin se termi vetë-menaxhim parashihet edhe në Kushtetutën e Kosovës.

“Lexoni neni 22-të të Kushtetutës. Vetë-menaxhimin e parasheh edhe Kushtetuta edhe Pakoja e Ahtisaarit”.

Gjithsesi kleçka në këtë pikë, sipas ish-bashkëpartiakut të Albin Kurtit, Visar Ymerit qëndron në atë se Pika e 7 e Marrëveshjes ashtu siç është paraqitur është ambige dhe mund të kuptohet në disa mënyra.

Pjesa e cila duhet sqaruar, sipas Ymerit, është fraza ku referenca është komuniteti serb e jo komunat me shumicë serbe.

“Nëse flitet për komunitetin serb atëherë për cilat aspekte të menaxhimit të jetës së komunitetit bëhet fjalë?”, pyet fillimisht duke u fokusuar te një detaji i fjalimit të shefit të diplomacisë së BE-së, Josep Borrell pas takimit Kurti-Vuçiç.

“Borrell kur fliste për këto parime e përdorte fjalën siguri. Pra, më shumë siguri për komunitetin serb, për çfarë sigurie flasim?”, pyet përsëri Ymeri.

Interesante gjithë në këtë mes, sipas Ymerit, është shtjellimi i diplomatëve të huaj, veçanërisht atyre amerikan, të cilët po japin më shumë se një kuptim për këtë pikë dhe këtë koncept.

“Përderisa më herët flitej për të drejtat në menaxhimin e arsimit, shëndetësisë, e të tjera, të drejtat këto që tashmë i gëzojnë komunat, është përmendur po ashtu një nivel i caktuar i autonomisë për serbët”, ka thënë Ymeri për Albanian Post.

Të gjitha këto pyetje e paqartësi të Ymerit, në një farë mënyrë është përpjekur të qartësojë Shefi i Grupit Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi.

Fillimisht ai nuk është pajtuar me shtjellimin dhe relativizmin e Kurtit për këtë pikë, duke spikatur me një kritikë konkrete për kryeministrin.

Gashi, i bindur, ka argumentuar se Neni 7 i Marrëveshjes serbëve nuk ua jep Asociacionin, por diçka përtej saj, Autonominë.

Kurti, sipas Gashit, po i referohet një konvente të gabuar të Këshillit të Evropës përmes të cilës ka sqaruar se çfarë fuqie mund të ketë fraza vetë-menaxhim.

Karta Evropiane e Vetëqeverisjeve Lokale e vitit 1985, sipas Gashit, është pikërisht korniza e cila parasheh autonomin e mbi të cilin do të interpretohet edhe fjala vetë-menaxhim të Nenti 7 të kësaj marrëveshjeje.

“Zotëri Kurti po të citoj nga Karta Evropiane e Vetëqeverisjes Lokale e vitit 1985 ose e njohur ndryshe si Traktati 122. Është një instrument i Këshillit të Evropës i cili krijon detyrime, dhe po të tregoj se ku e ke çelë derën ti që pas kësaj marrëveshje, kur të mërijmë te marrëveshja finale do të shkosh përtej asociacionit”, tha Gashi, duke shtuar se “kjo është bindje e palëkundur”.

Megjithatë me këtë interpretim të deputetit Gashi, nuk u pajtua shefi i Qeverisë, i cili apeloj deputetë të kenë shumë kujdes kur flasin për Nenin 7 e të mos referohen kartave të gabuara.

Sipas Kurtit ekziston një konventë tjetër në të cilën referohet Marrëveshja.

“Është Framework Convention of The Protection of Minorities 1995“, ka pohuar ai duke insistuar se Neni 7 nuk flet për territorin.

“Te neni 7 i Marrëveshjes nuk ekziston fjala Local , fjala self governance nuk ekziston, fjala self administration nuk ekziston, fjala autonomy nuk ekziston. Po të ishin fjalët vetëqeverisje, vetë-administrim do të ishte ndryshe.

Se formulimi vetë-menaxhim në këtë rast ka një konotacion shumë më teknik dhe administrativ e thotë edhe Profesori i Studimeve të Paqes dhe Konflikteve në Universitetin Dublin City, Gëzim Visoka.

“Formulimi ‘vetë-menaxhim’ mendoj se është shumë më i përgjithshëm se sa ai i vetëqeverisjes, dhe si i tillë mendoj se ka kuptim më shumë teknik dhe administrativ dhe më pak ekzekutiv dhe autonom. Mirëpo, ju mbetet palëve të përcaktojnë kuptimin e saj. Çdo interpretim tjetër mund të jetë vetëm spekulativ”, ka thënë shkurt ai për Albanian Post.

Kosova dhe Serbia të hënën, sipas shefit të BE-së për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Josep Borrell, kanë pranuar propozimin e Bashkimit Evropian apo gjerësisht i njohur ndryshe si propozimi franko-gjerman, që tash e tutje do të quhet Marrëveshja për rrugën e normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Marrëveshja e 27 shkurtit e cila ka për qëllim normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve, në asnjërën nga 11 nenet e saj nuk parasheh njohjen e ndërsjellët mes Kosovës dhe Serbisë, por Kosovës përveç themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe i kërkohet që së bashku me Serbinë ta formalizojnë statusin e Kishave Ortodokse Serbe.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore