Lajme

Vela: Serbia është duke tentuar të ndërhyjë në zgjedhjet në veri


Shefi i kabinetit të presidentes së Kosovës, Blerim Vela dhe presidentja Vjosa Osmani.

Shefi i kabinetit të Presidentes së Kosovës, Blerim Vela, ka publikuar një dokument ku përmes së cilit thotë se Qeveria e Serbisë është duke propaganduar për zgjedhjet lokale në veri të Kosovës.

Ai përmes një cicërime në rrjetin social ‘Twitter’ ka thënë se qëllimi i Serbisë është që të mos lejojë serbët që të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar në zgjedhjet e 23 prillit.

”Kjo është një dëshmi prima facie e përpjekjes së Serbisë për të ndërhyrë në zgjedhjet lokale në veri të Kosovës. Një ndërhyrje e tillë e huaj në zgjedhje synon të prishë të gjithë procesin zgjedhor dhe të frikësojë serbët vendas që të mos ushtrojnë të drejtën e tyre demokratike për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre”, ka shkruar Vela.

Dokumenti i publikuar paraqet një kërkesë të Beogradit për misionet e huaja ku përmendet rezoluta 12/44.

Aty thuhet se serbët e Kosovës janë të rrezikuar.

“Prandaj, Qeveria e Serbisë kërkon që misionet ndërkombëtare të lartpërmendura në përputhje me detyrimet e përcaktuara me rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të marrin urgjentisht masa për mbrojtjen e jetës dhe të drejtave të serbëve dhe për të siguruar tërheqjen e policisë shqiptare”, thuhet në dokumentin e publikuar nga Vela.

Zgjedhjet për katër kryetarë komunash veriore të Kosovës dhe dy asamble komunale do të duhej të mbaheshin në dhjetor të vitit të kaluar, por ato u shtynë për 23 prill të këtij vit, pas kërkesës së ndërkombëtarëve që të mos vazhdohet tutje me procedura të rregullta, meqë situata në terren nuk e mundësonte.

Nevoja për zgjedhje lindi pasi në mënyrë të organizuar Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, tërhoqi kryetarët e komunave, deputetët, ministrat dhe gjithë stafin administrativ nga institucionet e Kosovës.

Largimi nga institucionet u bë si shenjë proteste për disa shkarkime që ndodhën në radhët e policisë, përfshirë komandantin serb të stacionit në veri, meqë ata nuk i përfillen urdhrat e dhëna me vendim qeveritar, për gjobitjen e të gjitha veturave me targa ilegale “KM”.

Më pas, kur qeveria u pajtua ta shtyjë zbatimin e vendimit, Lista Serbe u deklaruar se si kusht për t’u kthyer në institucionet kanë fillimin e themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Kosova është pajtuar që ta themelojë Asociacionin me Marrëveshjen për Rrugën Drejt Normalizimit të Raporteve me Serbinë, por Lista Serbe prapë refuzoi të regjistrohet në Komisionin Qendror Zgjedhor për t’u futur në listë të partive që garojnë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore