Gjykata Speciale

Vazhdon seanca gjyqësore ndaj Januzit, Bahtijarit dhe Shalës


Sabit Januzi, Ismet Bahtjari dhe Haxhi Shala.

Të martën, do të vazhdojë seanca gjyqësore ndaj Sabit Januzit, Ismet Bahtijari dhe Haxhi Shalës, mbi ecurinë e çështjes gjyqësore.

Lajmin e kishte bërë të ditur DhSK-ja përmes një njoftimi për media.

“Siç është njoftuar në kalendarin e gjykatës, konferenca mbi ecurinë e çështjes në çështjen e përbashkët kundër Sabit Januzit, Ismet Bahtjarit dhe Haxhi Shalës është planifikuar për të martën, 13 shkurt”, thuhet në njoftimin e DhSK-së.

Më 12 janar, Prokuroria e Specializuar ka dorëzuar aktakuzën e përbashkët në rastin ndaj Sabit Januzit, Ismet Bahtijarit dhe Haxhi Shalës.

Lajmin e kishte bërë të ditur Zyra e Prokurorit Special, të premten.

“Sipas urdhrit gojor të gjyqtarit të procedurës paraprake Guillou më 14 dhjetor 2023, ZPS sot ka dorëzuar aktakuzë të përbashkët për rastet e Januzi&Bahtijarit dhe Haxhi Shalës”.

“Aktakuza e përbashkët është konfidenciale”, thuhet në komunikatë.

Më 13 dhjetor, ZPS-ja pati paraqitur kërkesë për bashkimin e çështjeve gjyqësore në një gjykim të vetëm.

Gjyqtari i procedurës paraprake pati urdhëruar Prokurorinë që ta dorëzonte aktakuzën deri më 12 janar.

Deri më tash Shala në njërën anë dhe Januzi e Bahtijari në anë tjetër, ishin në procese të ndara gjyqësore.

Ata akuzohen për pengim të administrimit të drejtësisë.

Zyra e Prokurorit të Specializuar e akuzon Shalën se ndërmjet 5 prillit dhe 12 prillit 2023 ka ndërmarrë veprime të ndryshme, shpesh në bashkëkryerje me të akuzuarit Sabit Januzi dhe Ismet Bahtjari, “ku përmes frikësimit apo ofrimit të shpërblimit e kanë nxitur dëshmitarin 1 të tërhiqet nga dëshmia apo të gënjejë gjatë dëshmisë së tij në Speciale”.

Aktakuza e ZPS-së kundër Sabit Januzit e Ismet Bahtjarit dhe ajo kundër Haxhi Shalës janë thuajse të ngjashme.

Ata akuzohen për vepra penale në periudhën e njëjtë, duke u thirrur në nenet e njëjta të Kodit Penal të Kosovës dhe në masë të madhe për vepra penale të kryera si grup.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore