Gjykata Speciale

Isni Kilaj lirohet me kusht nga Gjykata Speciale


Isni Kilaj në Gjykatën Speciale

Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, të mërkurën e kanë liruar nga paraburgimi ish kryetarin e Malishevës, Isni Kilajn, i cili u arrestua në nëntor të vitit të kaluar.

Ish-eprori i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është liruar me kusht.

Kushti i parë ishte dhënia e një garancie financiare apo dorëzani prej 30 mijë eurosh në administratën e Gjykatës Speciale.

Kilaj pas lirimit nuk ka të drejtë të largohet nga territori i Kosovës dhe të dorëzojë dokumentet e tij të udhëtimit.

Gjithashtu Kilaj duhet të paraqitet në Policinë e Kosovës, të japë adresën e tij se ku do të jetojë përgjatë procesit gjyqësor dhe të shmang çfarëdo kontakti me mediat.

Nëse Kilaj do të thyej ndonjë nga kushtet, do të jepet urdhër për arrestimin e tij.

Ndonëse është liruar, Kilaj vazhdon të jetë i dyshuar veprën penale kundër administrimit të drejtësisë.

Kilaj ishte arrestuar më 2 nëntor 2023 pas bastisjes së shtëpisë së tij.

Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte bërë të ditur se Kilaj është i ngarkuar me vepra penale në të cilat përfshihet pengimi i personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe shkelja e sekretit të procedurave.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore