Gjykata Speciale

Dorëzohet aktakuza e përbashkët ndaj Januzit, Bahtijarit dhe Shalës


Sabit Januzi, Ismet Bahtijari dhe Haxhi Shala.

Prokuroria e Specializuar ka dorëzuar aktakuzën e përbashkët në rastin ndaj Sabit Januzit, Ismet Bahtijarit dhe Haxhi Shalës.

Lajmin e ka bërë të ditur Zyra e Prokurorit Special, të premten.

“Sipas urdhrit gojor të gjyqtarit të procedurës paraprake Guillou më 14 dhjetor 2023, ZPS sot ka dorëzuar aktakuzë të përbashkët për rastet e Januzi&Bahtijarit dhe Haxhi Shalës”.

“Aktakuza e përbashkët është konfidenciale”, thuhet në komunikatë.

Komunikata e lëshuar nga ZPS-ja.

Më 13 dhjetor, ZPS-ja pati paraqitur kërkesë për bashkimin e çështjeve gjyqësore në një gjykim të vetëm.

Gjyqtari i procedurës paraprake pati urdhëruar Prokurorinë që ta dorëzonte aktakuzën deri më 12 janar.

Deri më tash Shala në njërën anë dhe Januzi e Bahtijari në anë tjetër, ishin në procese të ndara gjyqësore.

Ata akuzohen për pengim të administrimit të drejtësisë.

Zyra e Prokurorit të Specializuar e akuzon Shalën se ndërmjet 5 prillit dhe 12 prillit 2023 ka ndërmarrë veprime të ndryshme, shpesh në bashkëkryerje me të akuzuarit Sabit Januzi dhe Ismet Bahtjari, “ku përmes frikësimit apo ofrimit të shpërblimit e kanë nxitur dëshmitarin 1 të tërhiqet nga dëshmia apo të gënjejë gjatë dëshmisë së tij në Speciale”.

Aktakuza e ZPS-së kundër Sabit Januzit e Ismet Bahtjarit dhe ajo kundër Haxhi Shalës janë thuajse të ngjashme.

Ata akuzohen për vepra penale në periudhën e njëjtë, duke u thirrur në nenet e njëjta të Kodit Penal të Kosovës dhe në masë të madhe për vepra penale të kryera si grup.

Aktakuza e përbashkët ndaj Shalës, Januzit e Bahtijarit dorëzohet në janar

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore