Gjykata Speciale

Aktakuza e përbashkët ndaj Shalës, Januzit e Bahtijarit dorëzohet në janar


Ilustrim

Aktakuza e përbashkët ndaj ish-luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimitare të Kosovës (UÇK), Sabit Januzi, Ismet Bahtijari dhe Haxhi Shala, do të dorëzohet jo më vonë se 12 janari i vitit të ardhshëm, pas kërkesës së Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) për bashkimin e çështjeve gjyqësore ndaj tre të akuzuarve për pengim të administrimit të drejtësisë.

Gjatë konferencës për ecurinë e çështjes gjyqësore të Januzit dhe Bahtijarit, gjykatësi i procedurës paraprake në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë të Holandës, Nicolas Guillou, ka urdhëruar prokurorinë që të dorëzojë aktakuzën deri më 12 janar të vitit të ardhshëm. Deri tani, Shala, Januzi e Bahtijari, kanë qenë në procese të ndara gjyqësore.

Shala dyshohet se ndërmjet 5 prillit dhe 12 prillit 2023 ka ndërmarrë veprime të ndryshme, shpesh në bashkëkryerje me Januzin dhe Bahtjarin, ku përmes frikësimit apo ofrimit të shpërblimit e kanë nxitur dëshmitarin 1 të tërhiqet nga dëshmia apo të gënjejë gjatë dëshmisë para DHSK-së. Shala është arrestuar këtë javë, kurse Januzi e Bahtjari janë arrestuar në tetor.

Të tre akuzohen nga ZPS-ja për vepra penale në një periudhë të njëjtë kohore dhe në masë të madhe për vepra penale të kryera si grup. Megjithatë përgjegjësia më e madhe i atribuohet ish-deputetit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), i cili portretizohet si udhëheqës i grupit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore