Gjykata Speciale

Vazhdon dëshminë në Speciale dëshmitari i 62-të


Ish krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK), të martën do të vazhdojë dëshminë dëshmitari i 62-të.

Akoma s’është bërë e ditur nëse seanca do të jetë e hapur apo do të jetë në sesion të mbyllur.

I njëjti dëshmitar ishte planifikuar që të dëshmojë të hënën, por që nga trupi gjykues ishte kërkuar që të pezullohet pjesa tjetër e seancës.

Dëshmitari i 61-të në pjesën më të madhe kishte dëshmuar në sesion të mbyllur, i njëjti ka pretenduar se është ndaluar nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

Nga prokuroria është thënë se ai do të flas për kushtet e ndalimit si ato të cilat i ka përjetuar gjatë këtij procesi.

“Dëshmitari ‘01978’, është arrestuar dhe është ndaluar nga ushtarët e UÇK-së në ambiente të ndryshme. Dëshmitari do të jap dëshmi lidhur me kushtet e ndalimit, punën që kanë bërë të ndaluarit si dhe procesin e marrjes në pyetje dhe rrahjet që ka pësuar ai. Dëshmitari, do të identifikojë disa ushtarë të UÇK-së si dhe të ndaluar të tjerë bashkë me ta”, është thënë nga prokurorja.

Teksa është pyetur për një dokument ku paraqiten deklaratat e tij dhënë prokurorisë së Kosovës.

Për dokumentet është thënë se janë konfidenciale.

Të enjten, zëdhënësi i Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK), Michael Doyle, ka bërë të ditur se ndaj ish krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, janë pranuar edhe nëntë persona të tjerë në cilësinë e “viktimës”.

Doyle, tha se vendimi është marrë në janar të këtij viti, por që është publikuar tani.

“Trupi Gjykues bëri publik vendimin që lëshoi në janar lidhur me disa persona që ridorëzuan kërkesat për t’u pranuar si viktima, pas urdhrit të trupit gjykues për informacione shtesë. Trupi Gjykues vendosi të pranojë nëntë parashtrues kërkesash që fillimisht i kishte refuzuar pasi i kishin dorëzuar kërkesat pas afatit të përcaktuar nga trupi gjykues”, deklaroi Doyle.

Në gjykimin e ish krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, mbrojtja e Rexhep Selimit, Eric Tully, ka kërkuar që një prej dëshmive që do të dëgjohet javën e ardhshme të mos ketë vlerë provuese.

Këtë mbrojtja e ka kërkuar pasi që të njëjtëve nuk u ishte dhënë prova materiale, ndërkaq dëshmitari të njëjtat i ka analizuar gjerë e gjatë.

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët – Kadri Veseli e Jakup Krasniqi – dhe ish-deputetit kosovar, Rexhep Selimi, akuzohen për vrasje, torturë e trajtim mizor në rreth 40 qendra ndalimi në periudhën midis viteve 1998–1999.

Gjyqi ndaj ish-krerëve të UÇK-së nisi më 3 prill 2023, pas më shumë se dy vjet nga konfirmimi i aktakuzës.

Por, katër të akuzuarit e Speciales e kanë mohuar çdo pretendim të Prokurorisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore