Gjykata Speciale

ZPS-ja pretendon se dëshmitari i 62-të është arrestuar dhe rrahur nga ushtarët e UÇK-së


Foto nga seanca e Gjykatës Speciale.

Dëshmitari i 62-të në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK), në gjykimin ndaj ish krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, po pretendon se ishte arrestuar dhe rrahur nga ushtarët e UÇK-së në fillim të 1999-së.

Dëshmitari është duke dëshmuar përmes video-lidhjes si dhe me masa mbrojtëse ndërsa është duke u intervistuar nga prokurori Matt Halling.

“Dëshmitari i ZPS-së është arrestuar nga ushtarët e UÇK-së në fillim të viti 1999. Dëshmitari është rrahur keqazi brenda një periudhë tri javore mbi të cilën ai u transferua dhe u lirua”.

“Dëshmitari 03878 ka vuajtur lëndime dhe plagë të rënda dhe që kanë zgjatur në kohë si rezultat të ndalimit dhe keqtrajtimit të tij”, tha Halling.

Në pyetjet që u bënë publike, dëshmitari pohoi se në vendin ku ishte mbajtur i ndaluar kishte roje me armë e po ashtu rrahjet u kryenin me dritë të ndezur.

Dëshmia e këtij dëshmitari sipas gjyqtarit Charles Smith III, pritet të zgjasë rreth një ditë e gjysme.

Pretendime të ngjashme ndaj ushtarëve Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kishte pasur edhe dëshmitari i 61-të.

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK), të martën ka nisur dëshminë dëshmitari i 62-të.

Akoma s’është bërë e ditur nëse seanca do të jetë e hapur apo do të jetë në sesion të mbyllur.

I njëjti dëshmitar ishte planifikuar që të dëshmojë të hënën, por që nga trupi gjykues ishte kërkuar që të pezullohet pjesa tjetër e seancës.

Të enjten, zëdhënësi i Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK), Michael Doyle, ka bërë të ditur se ndaj ish krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, janë pranuar edhe nëntë persona të tjerë në cilësinë e “viktimës”.

Doyle, tha se vendimi është marrë në janar të këtij viti, por që është publikuar tani.

“Trupi Gjykues vendosi të pranojë nëntë parashtrues kërkesash që fillimisht i kishte refuzuar pasi i kishin dorëzuar kërkesat pas afatit të përcaktuar nga trupi gjykues”, deklaroi Doyle.

Në gjykimin e ish krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, mbrojtja e Rexhep Selimit, Eric Tully, ka kërkuar që një prej dëshmive që do të dëgjohet javën e ardhshme të mos ketë vlerë provuese.

Këtë mbrojtja e ka kërkuar pasi që të njëjtëve nuk u ishte dhënë prova materiale, ndërkaq dëshmitari të njëjtat i ka analizuar gjerë e gjatë.

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët – Kadri Veseli e Jakup Krasniqi – dhe ish-deputetit kosovar, Rexhep Selimi, akuzohen për vrasje, torturë e trajtim mizor në rreth 40 qendra ndalimi në periudhën midis viteve 1998–1999.

Gjyqi ndaj ish-krerëve të UÇK-së nisi më 3 prill 2023, pas më shumë se dy vjet nga konfirmimi i aktakuzës.

Por, katër të akuzuarit e Speciales e kanë mohuar çdo pretendim të Prokurorisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore