Kosova

Erdogani e krahason Netanyahun me Hitlerin, Millosheviçin e Karaxhiçin


Rexhep Tayyip Erdogan

Presidenti i Turqisë, Rexhep Tayyip Erdogan, ashpërsoi kritikat ndaj Izraelit pas sulmit në kampin e palestinezëve të zhvendosur në qytetin Rafah në Rripin e Gazës, duke e krahasuar kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, me ish-udhëheqësin fashist të Serbisë, Sllobodan Millosheviç, i cili vdiq në burgun e Hagës derisa gjykohej për krime lufte dhe gjenocid.

Erdogani krahasoi kryeministrin izraelit edhe me Adolf Hitlerin, një nga diktatorët më famëkeq në historinë e njerëzimit, përgjegjës për vrasjen e rreth 85 milionë njerëzve. Por, presidenti turk krahasoi Netanyahun edhe me udhëheqësin e serbëve të Bosnje e Hercegovinës, Radovan Karaxhiç, i cili po ashtu u dënua me burgim të përjetshëm për krime lufte dhe gjenocid.

“Ashtu sikurse Hitleri, Millosheviçi, Karaxhiçi dhe faraonët e tjerë të historisë të cilët ata i admirojnë, nuk do të mund t’i shmangen mallkimit. Turqia do të bëjë gjithçka që është e mundur për t’i mbajtur përgjegjës këta barbarë dhe vrasës që nuk kanë asnjë lidhje me njerëzimin”, deklaroi Erdogan.

Izraeli ka vazhduar të bombardojë Rripin e Gazës, përfshirë edhe qytetin Rafah, një ditë pas urdhrit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) që Izraeli të ndalë operacionet ushtarake. Në vendimin e GJND-së u tha se Izraeli duhet “menjëherë të ndalë” ofensivën në Rafah dhe të ndërmarrë masat e nevojshme që të adresojë krizën humanitare në mbarë rajonin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore