Gjykata Speciale

Veseli: Gjykimi të jetë i drejtë – mos të cenohet besimi i popullit të Kosovës në Speciale


Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.

Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, në seancën e së hënës në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSk), pas një kohë të gjatë është deklaruar duke kërkuar që procesi të jetë “i drejtë” dhe të mbaroj në “kohë të arsyeshme” e po ashtu të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

Veseli, ka thënë se s’dëshiron që ky proces të cenojë besimin e popullit të Kosovës.

“Besoj është në interes të publikut, jo vetëm tonin si të akuzuar, që dikush duhet të merr përgjegjësinë e vendimmarrjes, që ky proces para popullit të Kosovës të jetë jo vetëm fer, jo vetëm transparent, jo vetëm të respektojë procedurat e Kushtetutën e ligjet e Republikës së Kosovës, por edhe të ruajë dhe garantojë një gjykim të drejtë dhe në kohë të arsyeshme”, tha Veseli.

Veseli, kritikues u tregua edhe ndaj komunikimit që po bëhet në Speciale.

“Është edhe një çështje tjetër që ka të bëjë me mua si të akuzuar dhe me avokatin tim. I nderuar trupi gjykues, po e shoh një komunikim që nuk është normal e as profesional. Nuk po paragjykoj, por si i akuzuar kam drejt të jap mesazh. Nuk do të doja që në gjera që janë jashtë realitetit tim të ndikohet e paragjykohet, sepse ka një mos përmbajtje në adresimet e avokatit tim”, deklaroi Kadri Veseli.

Ai tutje ka theksuar se parimet që janë vendosur nga vetë ZPS-ja duhet të respektohen.

“Do të jem i shkurtër dhe i drejtpërdrejtë me juve për faktin se është në interesin publik kjo që do ta them. Janë dy çështje. Çështja e parë ka të bëj me kohëzgjatjen e këtij procesi. Që nga dita e parë kur jemi futur në këtë sallë, Prokuroria ka kërkuar në mënyrë transparente 545 orë”.

“Prej ditës së parë, faktikisht, secili e kemi ditur se 545 orë me procesin që do ta zhvillojmë në këtë sallë, do të kalonin 3 vjet ose 4 vjet, edhe nëse fare asnjë pyetje nuk do të bënte as mbrojtja e as ju si trup gjykues”, tha Veseli.

Kjo pasi sipas Veselit, gjykimi s’ka të bëjë vetëm me ta por edhe me të drejtat e qytetarëve të Kosovës tek ndërkombëtaret.

“Unë si njëri nga të akuzuarit, i nderuar trup gjyqësor, frikësohem se nëse nuk respektohen këto parime, nuk ka të bëjë me fatin tonë individual, por me një mesazh që do ta dërgojmë te populli i Kosovës i cili e ka krijuar me vetëdije të plotë, por edhe me besim këtë gjykatë, tek ju si partner tanë ndërkombëtarë, dhe nuk duhet në asnjë mënyrë të cenohet besimi që ka shtetin ligjor dhe drejtësinë ndërkombëtare”, tha Veseli.

Nga mbi 300 dëshmitarë, deri më tash janë dëgjuar 67 prej tyre – shqiptarë, serbë, ekspertë ndërkombëtarë, ish-komandantë të UÇK-së e viktima të pretenduara të luftës – kryesisht në seanca të mbyllura për publikun, ndërsa këtë të hënë pritet të vazhdojë dëgjimi i dëshmitarit të 67-të.

Ish-presidenti i Kosovës, ish-kryeparlamentarët kosovarë dhe ish-shefi i deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosjes (LVV), akuzohen nga e Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) për vrasje të pretenduara, torturë e trajtim mizor në periudhën midis viteve 1998–1999.

Në procesin gjyqësor që nisi më 3 prill 2023, katër ish-drejtuesit e UÇK-së u deklaruan të pafajshëm.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore