Gjykata Speciale

Nis dëshminë në Speciale diplomati austriak – “u takua me ish-krerët e UÇK-së për të negociuar lirimin e ushtarëve serbë”


Jan Kickert

Në gjyqin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po mbahen në paraburgim si të akuzuar për krime lufte, ka nisur dëshminë diplomati austriak, Jan Kickert i cili kishte shërbyer në Beograd gjatë viteve 1997-1999.

Kickert, kishte shërbyer si sekretar në Ambasadën e Austrisë në Beograd, por ka dëshmuar edhe në Tribunalin Ndërkombëtar për ish-Jugosllavi në çështjen e Fatmir Limajt.

Aktualisht Kickert shërben si ambasador austriak në Romë, ndërkaq në periudhën 1998-1999 ishte dërguar si asistent special i Bashkimit Evropian në Kosovë.

E nga viti 1999 deri më 2000 ishte këshilltar politik i Përfaqësuesit Special të Sekretarit të Përgjithshëm të Misionit të Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë.

Sipas përmbledhjes së lexuar nga prokurori John Capin, ky dëshmitar në fillim të vitit 1998 ka udhëtuar në Kosovë i ngarkuar për t’u takuar me udhëheqësit e partive, ndërkombëtarë dhe anëtarëve të tjerë.

“Vizitat e Kickert në Kosovë janë bërë më të shpeshta në pjesën e dytë të vitit 1998 pasi ai ishte udhëzuar të krijojë një pikë kontakti me udhëheqjen e UÇK-së për t’i angazhuar ata në procesin politik. Për të arritur këtë qëllim, ai ka marrë pjesë në disa takime me anëtarë të Shtabit të Përgjithshme; përfshirë Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin”, tha Capin.

Po ashtu, sipas prokurorit, dëshmitari ka marrë pjesë në një takim me ish-krerët e UÇK-së për të diskutuar lidhur me lirimin e disa ushtarëve serbë.

“Në korrik të vitit 1998, Kickert u takua me Hashim Thaçin, Kadri Veselin dhe pastaj ndaras me Jakup Krasniqin. Më 1999, Kickert mori pjesë në takim për të negociuar lirimin e ushtarëve serbë”.

Ndryshe, nga mbi 300 dëshmitarë, deri më tash janë dëgjuar 66 prej tyre – shqiptarë, serbë, ekspertë ndërkombëtarë, ish-komandantë të UÇK-së e viktima të pretenduara të luftës – kryesisht në seanca të mbyllura për publikun.

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët – Kadri Veseli e Jakup Krasniqi – dhe ish-deputeti kosovar, Rexhep Selimi, akuzohen nga e Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) për vrasje të pretenduara, torturë e trajtim mizor në periudhën midis viteve 1998–1999.

Në procesin gjyqësor që nisi më 3 prill 2023, katër ish-drejtuesit e UÇK-së u deklaruan të pafajshëm për akuzuat që u vihen në barrë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore