Lajme

Vazhdon lufta e pushtetit ndaj institucioneve të drejtësisë, deputetja e VV-së e akuzon prokurorinë dhe gjyqësorin për “sabotazh”


Fjolla Ujkani

Në vazhdën e sulmeve të pushtetit ndaj institucioneve të drejtësisë ka qenë edhe deklarimi i së shtunës nga deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Fjolla Ujkani, e cila duke u përpjekur që ta arsyetojë mosrealizimin e premtimeve, tha se qeveria “po e ka të vështirë ta implementojë” premtimin për luftën kundër krimit dhe korrupsionit, për shkak të “sabotazhit” të institucioneve kompetente.

“Gjithçka lidhet zinxhir sepse ne kemi ardhur këtu me një premtim të madh për një ndryshim rrënjësor në të gjitha sferat e institucioneve të Kosovës, dhe po e shohim se po hasim në vështirësi dhe në sabotazh nga krerët e institucioneve kompetente siç janë gjyqësori dhe prokuroria”, tha Ujkani në një prononcim për “Ekonomia Online”.

Ajo theksoi se shkeljet dhe të gjeturat që kanë ndodhur nëpër ministri të ndryshme e që janë dërguar nga ekzekutivi në prokurori, “nuk po procedohen dhe nuk po merret verdikti se si e meritojnë ata personat të cilët kanë keqpërdorur pozitat e tyre zyrtare”.

“Nuk po u jepet vendimi i merituar”, shtoi.

Mosreagimi i institucioneve të drejtësisë, sipas saj po e vështirëson implementimin e agjendës së tyre politike.

“Kjo padyshim që është një vështirësi e madhe dhe nuk po mundemi ta përmbushim agjendën tonë politike ashtu siç e kemi premtuar”.

Por, përkundër kësaj, deputetja e VV-së pohon se “me gjithë ato mundësi dhe kapacitete që i kemi, po besoj se ne jemi në rrugën e duhur dhe nuk e kemi ndër mend të ndalemi”.

Sulmet e zyrtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje ndaj Prokurorisë Speciale dhe kryeprokurorit, Blerim Isufaj, janë intensifikuar pas arrestimeve të disa njerëzve të afërt me Lëvizjen Vetëvendosje, të cilët dyshohet për korrupsion dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Edhe kryeministri kosovar Albin Kurti ka aluduar se kryeprokurori Isufaj po “hakmerret” në shenjë pakënaqësie, meqenëse nuk po dekretohet Kryeprokuror i Shtetit nga presidentja Vjosa Osmani, ngase sipas tyre, ky i fundit shihet person i afërt me “regjimin e vjetër”.

Albin Kurti i shpallë “luftë të hapur” Blerim Isufajt

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore