Lajme

Albin Kurti i shpallë “luftë të hapur” Blerim Isufajt


Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë fjalimit të tij në seancën plenare, një ditë pas arrestimit të kryeshefit të Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqit, nga Policia e Kosovës nën dyshimin për keqpërdorime në disa tenderë, një prej tyre 3.4 milionë euro, ka sulmuar Kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, i cili dha dritën e gjelbër për nisjen e hetimeve në rastin e kryeshefit Krasniqi.

Për Kurtin, gjithë në këtë mes është i rëndësishëm fakti që Prokuroria Speciale është shumë e zellshme me këtë rast, ani pse edhe në të kaluarën ka pasur keqpërdorime nga ana e kryeshefave të KEK-ut, të cilat nuk janë hetuar fare.

“Natyrisht që udhëheqja e re e KEK-ut ka deponuar me dhjetëra fakte e dëshmi materiale për keqpërdorimet që i ka gjetur aty, mirëpo zelli i Prokurorisë për t’u marrë me deponimet e fakteve e dëshmimeve për keqpërdorimet e mëhershme ka qenë zero, ndërsa zelli për t’u marrë me kryeshefin Krasniqi i cili në vitin 2022, bashkë me ekipin e vetë ja solli 107 milionë euro fitim, ishte maksimal”.

Në Prokurorinë e Shtetit, sipas Kurtit, ekziston një disponim negativ politik ndaj Qeverisë së udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje.

“Dhe kjo lidhet më shumë se me askënd tjetër me figurën e prokurorit Blerim Isufaj, bëhet fjalë për një kryeprokuror i cili është i mirënjohur në skenën tonë publike që në rastin e vrasjes së ish-shefit të AKP-së, Dino Hasanajt e kategorizojë si vetëvrasje ndërkaq rastin e vetëvrasjes së ish-drejtorit të informimit në Kryeministri, Hamdi Sopa e shndërrojë në vrasje”.

Kurti më tej gjatë fjalimit të tij ka sulmuar edhe prokurorin i cili u mor me rastin e kryeshefit të KEK-ut, Blerim Isufajn duke thënë se ky i fundit nuk e ka të fituar në Gjykatë asnjë rast dhe i njëjti po dëshiron të bëhet kryeprokuror i shtetit përkundër vullnetit të presidentes, kryeparlamentarit dhe kryeministrit.

“Është siklet i madh dhe është mbështetje e madhe për një njeri i cili përkundër tre krerëve shtetëror përkundër përvojës së hidhur që ka i gjithë vendi me të dëshiron të bëhet kryeprokurorë”.

Drejtësia dhe sistemi gjyqësor në Kosovë, sipas Kurtit, po lëngon pikërisht për shkak se ekziston një prokurori e cila nganjëherë, nuk dëshiron, nganjëherë nuk di e shpeshherë edhe të dyja.

“Është e vërtet që unë e kam kritikuar publikisht prokurorinë e shtetit, sidomos atë speciale, që për rastet e krimeve të luftës ka qenë përgjithësisht pasive”.

Kurti ka kritikuar Prokurorinë Speciale edhe për mungesë të veprimit për sa i përket serbëve të cilët kishin barrikaduar rrugët në Veri të Kosovës në muajin dhjetor.

“Agjencioni i Kosovës për Inteligjencë pa numër dëshmi, pa numër fakte i ka dërguar Prokurorisë gjatë muajit dhjetor dhe janar për 16 barrikadat e strukturave paralele në Veri të Kosovës, asnjë aktakuzë”.

Sipas tij nuk është e mundur që AKI-ja të dërgojë aq shumë fakte prokurorisë e ajo të mos veprojë kundrejt atyre që në mënyrë kriminale të dirigjuara nga Beogradi i vendosën barrikadat.

“Unë jam në dijeni të atyre dëshmive materiale të atyre fakteve për krimet e shumta dhe shkeljet e panumërta që janë bërë në Veri të Kosovës në dhjetorin e vitit 2022, asnjë aktakuzë”.

“Mirëpo duhen të merren me kryeshefin e KEK-ut, le të merren dhe duan të merren me presidenten tonë, sepse bëhet fjalë për njerëz që ende nuk janë pajtuar me rezultatin e 14 shkurtit”.

Kurti gjatë fjalimit të tij u është kundërpërgjigjur kritikave të opozitës, për arrestimin e kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi.

Ai duke iu referuar deputetit të PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se ai do të dëshironte që kryeshef në KEK të ishte Nijazi Thaçi.

“Unë nuk kam dilema që deputeti më shurdhues do të dëshironte që kryeshef në KEK të ishte Nijazi Thaçi, por ai është shkarkuar në qeverinë Kurti 1, aty e ka hallin”.

Ai ka thënë se drejtorit të KEK-ut i është bërë gjyqi në Kuvend.

“Më thanë t’ia tregoj vendin Nagipit, ai është në burg si t’ia tregoj vendin. Këtu iu bë gjyqi në Kuvend”, ka theksuar Kurti.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore