Lajme

Varhelyi: Liberalizimi i vizave për Kosovën, moment historik


Komisioneri Evropian për Zgjerim dhe Fqinjësi të Mirë, Oliver Varhelyi, përmes një postimi në rrjetin social Twitter ka përshëndetur vendimin e Parlamentit Evropian për miratimin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

“Sot arritëm një moment historik të rëndësishëm pasi sapo u miratua vendimi përfundimtar për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës në Parlamentin Evropian”, ka shkruar Varhelyi në Twitter.

Ndërsa, këtë vendim ai e konsideroi si “sukses i madh, urime!”

Ndryshe, në procesin më të gjatë krahasuar me secilin shtet, pas plotë 12 vjetësh procedura, Parlamenti Evropian ka miratuar vendimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Ky votim ishte hapi përfundimtar i proceduarës që kulmon me 1 janar 2024, kur kosovarët do të mund të udhëtojnë në zonën Schengen pa viza.

“Nuk kam marrë asnjë propozim për të refuzuar qëndrimin e Këshillit të ministrave të BE-së dhe asnjë amendament. Prandaj, është miratuar qëndrimi i Këshillit dhe është miratuar akti i propozuar”, tha kryetarja e Parlamenti Evropian, Roberta Metsola.

Më 19 prill, pritet të nënshkruhet akti ligjor për liberalizimin e vizave, ndërsa hapi i vetëm që duhet të bëhet pas kësaj, është botimi i vendimit në Gazetën Zyrtare të BE-së dhe hyrja në fuqi e tij.

Megjithatë, Kosovës, për dallim nga shtetet e tjera të rajonit, i janë dashur 12 vjet nga lansimi i dialogut për liberalizimin e vizave deri në lëvizjen e lirë në zonën Schengen.

Procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën nga ana e Parlamentit Evropian ka zgjatur më së gjati në historinë e procesit të liberalizimit të vizave, kjo pasi që shteteve të tjera të Ballkanit Perëndimor iu deshën 2 deri në 3 vjet.

Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Serbisë iu deshën vetëm 2 vjet nga lansimi i dialogut për liberalizimin e vizave deri në lëvizjen e lirë të qytetarëve të tyre në zonën Schengen. Ndërsa Shqipërisë e Bosnje Hercegovinës 3 vjet.

BE na i hoqi vizat, pas 12 vjetësh

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore