Lajme

Udhëheqësit serbë thonë se me anëtarësimin e Kosovës në KiE dialogu bllokohet


Nikolla Selakovic dhe Milovan Drecun

Lëvizja e shtetit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës është e njëanshme dhe kjo do të çojë në bllokim të dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë kanë thënë këtë të premte liderë politikë e institucionalë serbë, siç është kryetari i Komisionit të Kuvendit të Serbisë për Kosovën, Milovan Drecun dhe gjithashtu edhe ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Selakoviç.

Madje Selakoviç, duke provuar të tregohet cinik me situatën, ka deklaruar se “Kosova mund të anëtarësohet në Këshillin e Evropës vetëm kur të bëhet e mundur që krahinat dhe rajonet të bëhen pjesë e kësaj organizate”.

Duke folur për agjencinë serbe të lajmeve Tanjug, tha se Kosova me këtë veprim “tregon se nuk ka synim të sinqertë për të arritur një zgjidhje përmes dialogut me Beogradin”.

“Ata treguan se papërgjegjshmëria dhe njëanshmëria janë parimi i funksionimit të tyre”.

I të njëjtës linjë ka qenë edhe Drecun. Por, ai, duke u thirrur në burimet e tij, për të cilat thotë se janë të sigurta, ka deklaruar se në këtë nismë Kosova po përkrahet nga partenrë seriozë perëndimor, prandaj “Gjithçka është gati që Kosova të anëtarësohet në Këshillin e Evropës”.

Duke folur për televizionin serb Pink, Drecun theksoi se Kosova “nuk po bën lëvizje e vetme dhe se terreni po përgatitet nga ato shtete perëndimore”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore