Shqipëria

U zgjodh zëvendëspresidente e PL-së, Meta thur lavde për Erisa Xhixhon


“Kemi vendosur të jemi Partia më demokratike, më e hapur dhe më transparente, siç e panë të gjithë shqiptarët dje”.

Kështu shkruan kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta në një postim në Facebook, një ditë pas zgjedhjes si President i kësaj force politike.

Ai  e nis me një urim për Erisa Xhixhon “për zgjedhjen e saj shumë të merituar si zëvendëspresidente, të testuar dje përmes një gare të vërtetë me dy zonja të tjera të nderuara si Miranda Rira dhe Myrvete Asqeri”.

“Erisa do të jetë jo vetëm ZëvendësPresidente por edhe ZëvendësKomandante në zbatimin e vendimeve të Partisë të Lirisë. Ajo ka kaluar më shumë se gjysmën e jetës të saj në Partinë e Lirisë dhe është themeluese e LSI, si unë dhe shumë të tjerë, por vetëm 17 vjeç si “petroninse””.

Meta theksoi se “ajo duhet të ishte zgjedhur deputete për kontributet e saj të jashtëzakonshme, sidomos me LRI, shumë kohë më parë por kurrë nuk u ankua dhe as u demotivua”.

“Ndërkohë ka energji të pashtershme dhe pozitive për t’i përfshirë të gjithë dhe për të hapur Partinë e Lirisë siç bëri në kohën kur drejtonte LRI, që ishte organizata më e fuqishme në rajon.
Ajo fitoi gati me 90 për qind të votave kundër dy kandidateve që gëzojnë shumë simpati brenda Partisë të Lirisë dhe kjo është shumë domethënëse”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore