Lajme

Trump paditet për mashtrim nga kryeprokurorja e New York-ut


Ish-presidenti amerikan Donald Trump dhe fëmijët e tij të rritur u paditën për mashtrim të mërkurën nga prokurorja e përgjithshme e shtetit të New York-ut, Letitia James.

Lajmi u bë i ditur nga agjencia “Reuters”.

Prokurorja prej më shumë se tre vitesh ka kryer një hetim civil mbi praktikat e biznesit të Trump-it, treguan të dhënat e gjykatës.

Padia, e paraqitur në një gjykatë të shtetit të New York-ut në Manhattan, akuzoi Organizatën Trump për përfshirje në “akte të shumta mashtrimi dhe keqinterpretimi”.

Kjo, në përgatitjen e deklaratave vjetore të gjendjes financiare të Trump nga viti 2011 deri në 2021.

Ajo gjithashtu emëroi Organizatën Trump, djalin (Donald Trump Jr) dhe vajzën e tij Ivanka Trump si të pandehur.

Hetimi nga Letitia James është fokusuar nëse Organizata Trump ka keqdeklaruar vlerat e pronave të saj të paluajtshme për të marrë kredi të favorshme dhe përfitime tatimore.

Ish-presidenti republikan ka mohuar çdo keqbërje dhe e ka përshkruar hetimin e James si një gjueti shtrigash të motivuar politikisht.

James është një demokrate. Organizata Trump i ka quajtur akuzat e James “të pabaza”.

Padia shënon një nga goditjet më të mëdha ligjore për Trump që kur u largua nga detyra në janar të vitit 2021.

Trump po konsideron të kandidojë përsëri për president në zgjedhjet e vitit 2024.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore