Lajme

Tri lagje të Prishtinës pa ujë – Shkak punimet në rrjet


Ilustrim

Bregu i Diellit, Mati 1 dhe Lagjja e Spitalit janë tri lagjet e Prishtinës që këtë të dielë do të mbesin pa ujë të pijes nga ora 10:00 deri në ora 18:00.

Shkak i ndërprerjes së ujit në këto lagje të kryeqytetit janë punimet teknike në gypin kryesor në magjistralen Badoc-Prishtinë, thuhet në njoftimin e Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina” Sh.A.

“Të nderuar konsumatorë, ju njoftojmë se gjatë ditës së nesërme 19 dhjetor 2021, do të realizohen punime teknike në gypin magjistral fi 600 mm Badoc – Prishtinë”.

Kompania ka thënë se realizimi i punimeve të tilla bëhet për funksionim më të mirë të infrastrukturës së rrjetit të ujësjellësit.

“Kur kemi punime të tilla në gypa më të mëdhenj, në moment që uji vjen në krojet tuaja duhet lënë të rrjedhin për pak minuta për shkak që mund të vjen i turbullt, deri në shpëlarjen e linjës”.

“Prishtina” thotë se pavarësisht saktësimit të kohës së realizimit përfundimtar të punimeve, “në moment që gypi funksionalizohet merr pak kohë derisa të vjen në krojet tuaja, për shkak të gjatësisë së linjës dhe mbushjes së rezervuarëve të konsumatorëve individualë, të cilët ne nuk i menaxhojmë”, thuhet në njoftim.

Këto reduktime në ujë po ndodhin në kohën kur ka pasur reduktime të shpeshta edhe të energjisë elektrike.

Edhe për reduktimet në rrymë kryesisht është thënë se po bëhen për shkak të punimeve në sistem.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore